Kombetarja

Florian Kamberi humb Kombëtaren për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve

Trajneri Edi Reja do të publikojë në fund të muajit listën e lojtarëve që do të grumbullojë për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Bjellorusisë në transfertë dhe Lituanisë në fushën tonë. Megjithatë, që tani është mësuar mungesa e parë për trajnerin italian të kuqezinjve.

Sulmuesi i St.Galenit në Zvicër, Florian Kamberi, nuk mund të debutojë me fanellën e Kombëtares. Zvicra parashikon në rregullat e saj për situatën e fundit 14 ditë karantinë për personat që vijnë nga Shqipëria. Kjo do të thotë se Kamberi nuk mund të grumbullohet, sepse do t’i takonte të qëndronte një muaj larg ekipit të tij. Në këtë situatë, është vendosur që sulmuesi të qëndrojë në Zvicër. Kamberi është grumbulluar edhe më parë me kuqezinjtë, por nuk ka luajtur për shkak të dokumentacionit. Më parë ai është aktivizuar me kombëtaret e moshave të Zvicrës.

Kamberi gjatë një grumbullimi me kuqezinjtë. Gazeta Si, 26 gusht 2020

Pritet që në listën e Kombëtares të ketë risi. Trajneri Reja do ta zyrtarizojë listën gjatë konferencës për shtyp që ka parashikuar të japë në kryeqytet në fund të muajit. Shqipëria bën pjesë në Grupin 4 të Ligës së Kombeve, bashkë me Lituaninë, Bjellorusinë dhe Kazakistanin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë