Komunitet

Fletushkat antifeministe, skuadra e shqiptarëve bëhet çështje në Itali

Disa fletushka të shpërndara nga tifo-grupi i Lacios “Curva Nord”, kanë ndezur një debat të gjerë në Itali dhe reagimet kanë qenë të forta. Përmbajtja e këtyre fletushkave ishte një kërkesë-urdhër për femrat, që ato të mos jenë pjesë e 10 rreshtave të parë të kësaj tribune.

“Ky sektor i stadiumit është një vend i shenjtë për ne tifozët e Lacios, ka një kod të pashkruar dhe që duhet të respektohet me përpikëri. Në 10 rreshtat e parë të kësaj tribune nuk duam të ketë femra, bashkëshorte apo të fejuara tifozësh, të cilat i ftojmë të ulen nga rreshti i 10-të e më lart. Kush zgjedh stadiumin si alternativë për momente romantike, duhet të gjejë një vend tjetër”. Kjo ishte përmbajtja e fletushkës së shpërndarë nga “Irriducibili”, grupim ultrasish të Lacios, e firmosur nga kapoja i tyre, Diabolik Pluto.

Fletushka e shpërndarë nga ultrasit e Lacios para ndeshjes me Napolin 

Kanë reaguar së pari vetë femrat, duke e quajtur diskriminuese atë që kërkojnë ultrasit lacialë. “Po na kthejnë në mesjetë” – u shpreh pasi mësoi lajmin ish-kampionia dhe aktualisht trajnere e Milanit në futboll për femra, Karolina Moraçe. Kurse një grup tifozesh bardhekaltër kanë këtë mesazh: “Jemi një grup femrash që jemi rritur në atë sektor, që e shohin si një vend të shenjtë dhe që e respektojnë kodin e pashkruar. Por jemi të indinjuara kur kemi lexuar ato pak fjali para ndeshjes. Distancohemi nga ata lacialë që nuk i japin vlerën e duhur kësaj tribune me sjellje të papërshtatshme, ashtu siç distancohemi edhe nga ata lacialë, të cilët harrojnë se kanë ardhur në jetë nga një femër”.

Motër Paola

Për episodin e fletushkave ka dhënë opinionin e saj edhe motër Paola: “Në ndeshjen e radhës do të jem edhe unë në atë tribunë. Nëse nuk shkojnë femra të tjera, do të shkoj unë. Nuk e kisha pritur kurrë këtë që ndodhi dhe jam shumë i indinjuar me atë që kanë bërë miqtë e mi tifozë. Dua të kujtoj se vite më parë ka pasur fushata për formimin e grupimeve të tifozeve femra për çdo skuadër. Është absurde të mendosh se femrat nuk mund të shkojnë në “Curva Nord”, – ka thënë motër Paola, tifozja e thekur e Lacios, e njohur nga të gjithë në Itali.

Motër Paola, tifozja e famshme e Lacios, në mes të Imobiles dhe De Vraj 

Federata heton çështjen

Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka hapur një hetim për fletushkat e ultrasve të Lacios. Prokuroria Federale e kësaj federate, e kryesuar nga Xhuzepe Pekoraro, po mbledh të gjitha provat për fletushkat e shpërndara para ndeshjes Lacio-Napoli në shkallët e stadiumit “Olimpico” të Romës. Pasi janë parë filmimet e telekamerave të stadiumit, janë identifikuar personat që i kanë shpërndarë këto fletushka. Akuza e ngritur është ajo e diskriminimit dhe shumë shpejt pritet të bëhen edhe denoncimet e para.

Lacio njihet si ”skuadra e shqiptarëve” në Itali. Igli Tare, ish-kapiteni i Kombëtares, është drejtori sportiv i Lacios, Tomas Strakosha është portieri titullar dhe Valon Berisha është afruar në merkaton e kësaj vere, ndërsa më parë pjesë e kësaj skuadre kanë qenë edhe Etrit Berisha dhe Lorik Cana.

 

Më Shumë