Futboll

Flet 7 gjuhë, këndon Al Banon dhe ka një rekord personal… Surpriza Mkhitarian!

Trekuartisti armen ka zgjedhur Romën për të rigjetur entuziazmin pas aventurës në Angli. Që i vogël kishte bërë një “pakt” me të atin ish-futbollist se, nëse nuk do të bëhej edhe ai futbollist, do të bëhej avokat. Në Instagram është shfaqur vetëm 3 vjet më parë…

“Kur je i trishtuar, nuk mund të kesh fat. Është diçka që e kam mësuar nga kultura braziliane. Kur je i lumtur, në fushë bën gjëra të bukura”. Ndoshta te kjo deklaratë qëndron arsyeja e zgjedhjes së Henrikh Mkhitarian, i cili sapo ka zbarkuar në Serinë A, ku do të veshë fanellën e Romës. Atmosfera e Londrës dhe minutat e pakta me Arsenalin sigurisht që nuk e bënin të lumtur fantazistin armen. Petraki ka bërë gjithçka në sekret të plotë, tifozët e Romës ende nuk e besojnë se kanë marrë një lojtar, i cili mund ta ndihmojë skuadrën e tyre të bëjë hapin e madh në kualitet.

Kush është Mkhitarian? Nga Brazili ka marrë dëshirën për t’u argëtuar në fushë. Kur ishte i vogël, bashkë me disa lojtarë të tjerë, shkoi nga Armenia në Brazil, në një kamping prej 4 muajsh te San Paolo. Aty i qëlloi të ishte në një dhomë me ish-mesfushorin e Lacios dhe Juventusit, Hernanes. Pasioni për futbollin e ka marrë nga babai-idhull Hamlet, një nga sulmuesit më të mëdhenj të shekullit të kaluar. Babai i ndërroi jetë në moshën 33-vjeçare, për shkak të një tumori në tru dhe atë ditë vogëlushi Henrikh vendosi të bëhej futbollist dhe të vazhdonte ëndrrën e të atit për ta bërë krenar atë. Dhe një sulmues mund të bëhet i lumtur duke i dhënë sa më shumë asiste të jetë e mundur… Ky u bë edhe objektivi i gjithë karrierës së mesfushorit armen.

Henrikh Mkhitarian pas zbarkimit në Romë. Gazeta Si, 2 shtator 2019

Fëmijërinë e ka kaluar në Francë, Armeni, Brazil dhe jo vetëm. Kur u transferua në Donjetsk, mësoi gjuhën ukrainase dhe pak rusisht, duke ia shtuar bagazhit personal. E tregojnë si një tip që pëlqen të qëndrojë larg reflektorëve, larg vëmendjes. Ka luajtur me Mançester Junajtid, në kohën e Ibrahimoviç, por idhulli i tij nuk është suedezi. Ka idhull Kakanë, nga i cili duket e ka marrë edhe ndrojtjen, përveç aftësive për të bërë të duket e thjeshtë diçka që nuk është e tillë.

Mkhitarian shpërtheu në Donjetsk, në vitin 2013, kur me fanellën e Shakhtarit shënoi 25 gola dhe dha 9 asiste. Borusia Dortmund e çoi në Gjermani, ku pati kontakt me një tjetër realitet dhe mësoi një gjuhë tjetër. Me trajnerin Klop për dy vjet gjërat nuk shkuan edhe aq mirë. Pozitiv sezoni i parë, por keq i dyti, kurse me Tuhel në stol rilindi dhe vendosi një rekord: në sezonin 2015-2016 shënoi 23 gola dhe dha 32 asiste, si askush tjetër. Një sinjal i qartë se është një lojtar perfekt në një grup që funksionon, por jo një lider që mund të udhëheqë skuadrën në momente të vështira, siç ndodhi te Mançester Junajtid në vitin e parë me Mourinjon. Tek Arsenali nuk është se i shkoi më mirë dhe zgjedhja e Romës duket se është bërë me dëshirën për t’u ndjerë protagonist.

Mkhitarian me bashkëshorten Beti në ceremoninë e dasmës në Venecia. Gazeta Si, 2 shtator 2019

Nga nëna ka trashëguar edukatën shembullore dhe durimin. “Më vrasin me shkelma në fushë”, - i ankohej ai së ëmës, kur kishte filluar të binte në sy me nivelin e tij futbollistik. “Jo, duhet të jesh gjithmonë i sjellshëm”, - i përgjigjej nëna, siç ka treguar vetë Mkhitarian për “The Players’ Tribune”. Në rrjetet sociale është bërë aktiv me vonesë. Postimin e parë në Instagram e ka bërë në korrik të 2016-ës. Shumë prapa futbollistëve të tjerë të kohëve të sotme. Është ambasador i Unicef-it dhe në verë u martua në Venecia me Betin (vajza e biznesmenit të njohur Mikajl Vardanian), në magjikun “San Lazzaro” të armenëve. Nuk ishte një zgjedhje rastësore, duke ditur që bëhet fjalë për një nga qendrat e para të kulturës armene në botë. Në ceremoni ishte i ftuar nderi këngëtari i njohur italian Al Bano (Albano Karrizi emri i vërtetë) dhe të dy kënduan “Volare” të Domeniko Modunjos. Një fluturim drejt Romës, që për Mkhitarian është bërë realitet tashmë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë