Kombetarja

Flasin kuqezinjtë pas suksesit: Fitore për gjithë shqiptarët anembanë botës!

Gazeta Si – Festë në fushë pas barazimit në Moldavi dhe pastaj edhe me tifozët. Protagonistët e fushës meritojnë fjalët më të mira për gjithë emocionet që na kënë dhuruar në këto eliminatore.

Pas hapjes së shampanjës, kuqezinjtë kanë dhënë opinionet e tyre për kualifikimin për në Euro 2024. Shumica e tyre shkojnë për herë të parë në një komepticion të tillë.

Mesfushori Ylber Ramadani pas ndeshjes tha: “Urime të gjithëve! Është ndjenjë e veçantë, jam gëzuar shumë. Kjo shkon për të gjithë shqiptarët anembanë botës. Një ndjenjë e veçantë që nuk do ta harroj kurrë, nuk jam ndjerë kurrë kaq shumë i emocionuar në gjithë karrierën time.

Më keni mbështetur gjithmonë kur kam ardhur edhe në fillim në Kombëtare. Festë e çmendur, dua të falenderoj të gjithë shqiptarët, tifozët që na përkrahën shumë. Jemi në Berlin të gjithë”.

Berat Gjimshiti, kapiteni i Kombëtares, theksoi: “Përjetim i papërshkrueshëm. Nuk ishte ndeshja jonë më e mire, por një pikë na çoi në Europian dhe jemi të gjithë të lumtur. Sa shumë shqiptarë që kishte në stadium, i falenderoj shumë të gjithë. Kemi tifozët më të mirë në botë.

E kemi kuptuar që do të shkonim në Europian kur fituam me Çekinë 3-0, ajo fitore na dha vetëbesim. E menduam të gjithë që ishim të kualifikuar, por duhet të ishim të gjithë me këmbë në tokë. Gjithçka u arrit. Edhe herën e fundit isha në eliminatore, pastaj nuk shkova në Europian. Të presim (qesh). Duhet të shfrytëzojmë çdo moment dhe të ndjejmë atë emocion”.

Jasir Asani, një tjetër protagonist absolut i këtij suksesi, u shpreh: “Ishte shumë e vështirë, por kemi bërë një sakrificë shumë të madhe dhe të gjithë kemi dhënë shpirtin në fushë për këtë kualifikim. Të gjithë jemi të lumtur dhe ka ardhur koha të festojmë.

S’bëhet fjalë, do të shënojmë gola edhe në Europian. Por kemi ndeshje të hënën dhe pas saj do ta mendojmë. E di që në rastin që kisha do ishte më mirë të pasoja, por kisha hapësirë të gjuaja më mire. Më i lumtur jam që morëm pikën dhe u kualifikuam”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë