Kombetarja

Flasin kuqezinjtë, Nedim Bajrami: Kemi punë për të bërë deri në Gjermani 2024

Gazeta Si – Pas barazimit me Ishujt Faroe, që nuk i ka lënë të kënaqur vetë lojtarët, stafin teknik dhe tifozët, kanë folur disa nga protagonistët kuqezi. Ata kanë pranuar se ndeshja e sotme nuk ishte ajo që prisnin, megjithatë I gëzohen kualifikimit dhe vendit të parë në grup.

Nedim Bajrami ishte nga më të mirët sot në fushë. Ai theksoi pas ndeshjes se Shqipëria ka punë për të bërë para se të shkojë në Europian. “Vuajtëm, sepse nuk kishim hapësira. Ata u mbrojtën shumë mirë. Patëm raste, por duhet të ishim më të qartë.

Rëndësi ka që u kualifikuam dhe zumë vendin e parë. Ishin më kompakt mbrapa ata, ne duhet të ishim më të qetë me topin. Duhet të punojmë dhe të shikojmë përpara. Kemi akoma punë deri në Gjermani. Me Silvinjon kemi bërë punë shumë të mirë dhe jemi skuadër shumë e fortë. E rëndësishme është të festojmë tani”, - tha Bajrami.

Në këtë linjë ishte edhe kapiteni Berat Gjimshiti: “Kishim dëshirë të bënim një lojë të mirë për tifozët dhe të shënonim, por arritëm objektivat. I pari ishte kualifikimi dhe objektivi i dytë ishte vendi i dytë. Nuk e nënvlerësuam kundërshtarin. Ata kanë një ekip fizik dhe nuk ishin të lodhur, ishin të freskët, sepse nuk kishin ndeshje si ne pak ditë më parë”.

Ardian Ismajli pranon se ndeshjet e fundit të kuqezinjve nuk kanë qenë më të mirat. Megjithatë, ai ka besim se Shqipëria ka kualitet dhe do ta tregojë edhe në Europian.

“Të gjithë e dimë që 20 minutat e fundit me Moldavinë dhe sot nuk ishin më të mirat tona. Por jemi në vend të parë në grup dhe nuk është se do harrohet. Do ta analizojmë këtë ndeshje, do shohim ku kemi mbetur. Por të festojmë, se në këto eliminatore kemi bërë ndeshje perfeke. Morëm atë që deshëm dhe jemi ku deshëm.

Kemi një skuadër shumë të fortë, pa pasur parasysh kush luan më shumë e më pak. Kanë të gjithë meritë në këtë sukses, në këto eliminatore. Jam shumë i sigurt që nuk do jemi kalimtarë në Gjermani, në çdo pozicion kemi nga 3-4 lojtarë. Nënvlerësim? Nuk e besoj, se jemi profesionistë.

Kundër ekipeve të vogla është gjithmonë e vështirë të luash, me Poloninë e Çekinë kemi bërë ndeshje të mira. Kur luan me një ekip që luan futboll, e ke më të lehtë. Megjithatë, edhe me një pikë jemi të gjithë të lumtur. Na u desh fitorja për publikun”, - u shpreh Ismajli.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë