Kombetarja

Flasin Basha dhe Dermaku: Me Rejan ndihemi më të lirë

Në ditën e dytë të grumbullimit të kombëtares shqiptare të futbollit në prag të ndeshjeve të qershorit, para medieve kanë dalë mbrojtësi, Kastriot Dermaku dhe mesfushori Migjen Basha. Të dy futbollistët kuqezinj, tek të cilët Reja mund të mbështet për dy sfidat me Islandën dhe Moldavinë janë shprehur shumë të kënaqur me atmosferën që mbizotëron në kombëtare. Sipas tyre me teknikun 73-vjeçar, të gjithi lojtarët ndjehen më të lirë gjatë gjithë grumbullimit dhe se shpresojnë që kjo frymë pozitive në grup të çojë drejt fitoreve në dy ndeshjet eliminatore.

I pari që foli ishte mesfushori Basha, i cili në fillim ka sqaruar të gjitha zërat që u përhapën në lidhje me një kalim të mundshëm të tij te Partizani. “Dua të them që ai lajm që doli është rastësi. Bëmë vetëm një foto me çunat e Partizanit. Nuk është asgjë e vërtetë. Kam 1 vit kontratë me Arisin. Klubi nuk më ka thënë që do largohem. Çdo lojtar ka qejf të luajë në Champions, por nuk mundem që unë të jem pjesë e Partizanit kur kam kontratë me Arisin. Nuk mundem të them diçka më shumë. Nuk mund të them që kam dëshirë, kur kam edhe 1 vit me Arisin, se krijoj probleme. Nuk besoj se do vazhdojë bisedimet. Ka qenë vetëm një rastësi, që bëmë foto me çunat e Partizanit."

Më tej mesfushori që luan në kampionatin grek të futbollit ka treguar diferencat mes Kristain Panuçit dhe Edi Rejas. Sipas Migjen Bashës, në ndryshim nga Panuçi, Reja ka futur një tjetër mentalitet dhe ka dhënë më shumë liri për futbollistët. “Nuk jemi të gjithë të grumbulluar. Ka qenë ndryshe me Panuçin. Tani ndihemi më të lirë. Nuk është se po bëj fajtor Panuçin. Është një trajner i ri, me tjetër mentalitet dhe të jep liri. Varet nga rezultatet, me fitore rritet harmonia. Ndryshe bëhet problem. Është ndryshe. Panuçi vendosi rregulla të rrepta. U munduam t’i respektonim. Nuk e di a ishin pozitive apo negative. Për Rejën për momentin është ndryshe. Nuk ja vë gjithë fajin Panuçin. Rregullat duhen respektuar. Është e vështirë të them diçka. Nuk jemi përgatitur shumë. Nga ana taktike nuk kemi punuar shumë, po presim të vijnë lojtarët e tjerë, për të vendosur.”

Sipas Bashës, dallimet mes dy trajnerëve nuk janë vetëm në aspketin e rregullave, por edhe atë taktik. “Sigurisht Reja është më ekspert. Nuk e dimë ende për anën taktike. Ka më shumë eksperiencë, shikohet që raporti me lojtarët është më ndryshe. Pastaj për pjesët e tjera të shohim në javët e ardhshëm. Duhet patjetër rezultatet pozitive në 2 ndeshjet e radhës. Duhet të ngrehmë moralin dhe entuziazmin. Kombëtares i ka humbur pak entuziazmi. Duhet ta rikthejmë entuziazmin. Stadiumi i ri do të na ndihmojë shumë.”
Ndërsa mbrojtësi i afruar vetëm vitin e fundit me kombëtaren, Kastriot Dermaku tha se skuadra e ka forcën për tu ringritur, teksa shtoi se për të nuk ka rëndësi moduli që do të përdorë Reja pasi ai ka luajtur me katër dhe me tre mbrojtës. “Besoj që patjetër, duhet të japim maksimumin. Do të shikojmë deri ku mund të shkojmë. Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Edhe me Kozencën kemi luajtur në të 2 mënyrat. Do ta shikojmë çfarë mendon trajneri kur të jetë grupi i plotë.”

Ndërsa duke folur për konkurrencën, mbrojtësi që aktivizohet në Serinë B tha se konkurrenca në ekipin A të Shqipërisë është një gjë shumë e mirë “Është e madhe konkurrenca dhe është pozitive kjo. Nuk pres të jem në formacion, nëse vjen shansi do të demonstroj aftësitë e mia. Deri tani, përshtypja është pozitive.”

Në fund Dermaku ka zbuluar në konferecën për shtyp se në sezonin e ardhshëm me shumë mundësi do të kalojë në një tjetër klub të madh të Serisë. “Kemi biseduar me disa ekipe në Seria A. Ka shanse të shkoj në Seria A.”

https://youtu.be/c9t6K7uWiwM

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë