Futboll

Flamurtari, si përjashtim nga “rregulli”!

Fatjon Rupi - Pavarësisht si do të mbyllet ky kampionat, e sigurt është që vlonjatët nuk do të festojnë në fund se skuadra e tyre ka mbijetuar në Superiore. Në variantin më të mirë, Flamurtari do të “certifikohet” si forca e tretë e kampionatit. Vendin e tretë, që e mori të mërkurën në mbrëmje, pasi mundi Teutën rivale, e meriton plotësisht jo vetëm për vlerat që ka treguar në fushë, por edhe për ato morale e qytetare. Ky Flamurtar është një përjashtim nga “rregulli” shqiptar.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja është shumë pranë Europës, pastaj licencimi ose jo për të marrë pjesë në aktivitetet europiane, është punë tjetër. Flamurtari po thyen “rregullat” e futbollit shqiptar dhe meriton komplimente, sido që të shkojë. Pse? Që Flamurtari është në vend të tretë, nuk është aspak çudi, mund të ishte ndoshta edhe më mirë, pse jo? Befasia ka të bëjë me momentin dhe situatën që po kalon Flamurtari, që nuk e ka penguar të jetë i treti në kampionat. Një situatë, ku çdo skuadër tjetër me siguri nuk do të kishte bërë këtë që kanë bërë vlonjatët. E ka vërtetuar përvoja e viteve të fundit. Me një problematikë pagesash në muajt e fundit dhe me një grup futbollistësh të reduktuar (vetëm lojtarët e formacionit bazë kanë përvojë), Flamurtari nuk ka rrëshqitur. “Kalaja” që ka ndërtuar këtë sezon i ka themelet në shkëmb dhe jo në rërë.

Ekipi i Flamurtarit para ndeshjes me Teutën

Flamurtari ka rezistuar fort. Është treguar një ekip serioz dhe shumë profesionist. Alibinë e justifikimit të rezultateve për situata të tilla e ka pasur gati, madje dopio: nuk po paguhemi dhe nuk kemi lojtarë. Kështu ka ndodhur me disa skuadra të kampionatit tonë më parë, por ky nuk është shembulli që vlonjatët duan të ndjekin. Ata që nuk ishin dakord ta përqafonin kauzën e grupit aktual të futbollistëve dhe stafit teknik, u distancuan që në janar, kur zgjodhën të linin Vlorën për arsyet e përmendura më lart. Të tjerët vendosën të mos e braktisnin misionin që kanë marrë përsipër verën e kaluar. Në sytë e tifozëve vlonjatë dhe opinionit futbolldashës kanë fituar shumë pikë, shumë më shumë se ato që kanë fituar në fushë. Karriera në futboll është e shkurtër, por, në fund të fundit, në jetë nuk janë gjithçka paratë.

Ata djem kanë folur qartë në fushë me gjuhën e profesionistit. Kanë ndjekur rrugën e sakrificës dhe tani u takon drejtuesve të bëjnë punën e tyre. Dhe me siguri këta të fundit do të vihen në “siklet”, teksa shohin atë që Flamurtari po bën në fushë. “Ne po përpiqemi, po respektojmë fanellën dhe qytetin. Për të tjerat janë drejtuesit e klubit”, - ka thënë trajneri Ilir Daja pas fitores me Teutën. Sigurisht, ai ka merita të mëdha për këtë Flamurtar, që bën përjashtim nga “rregulli” në futbollin shqiptar.

Flamurtari feston një nga golat e shënuar ndaj Teutës

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë