Futboll

Flamurtari mbipopullohet me shkodranë, Kukësi merr ish-lojtarin e Nigerisë

Superiorja nis këtë fundjavë dhe klubet e saj kanë duke bërë lëvizjet e fundit në merkato për të kompletuar çdo repart. Duhet thënë se ka qenë një merkato e varfër këtë verë, kanë qarkulluar pak emra interesantë, kryesisht te skuadrat që merrnin pjesë në Kupat e Europës. Partizani, Kukësi, Teuta dhe Laçi kanë bërë shumë ndryshime, afrime dhe largime. Shumë futbollistë kanë lënë Superioren dhe kanë shkuar në Kosovë. Mjafton të përmendin ekipin e Gjilanit, që drejtohet nga trajneri vlonjat Gentian Mezani dhe që gati gjithë formacionin e ka me ish-lojtarë të kampionatit shqiptar. Rritja e nivelit në tregun kosovar ka bërë që të varfërohet tregu shqiptar. Megjithatë, diçka ka lëvizur edhe ditët e fundit.

Ansi Nika, afrimi i fundit i Flamurtarit. Gazeta Si, 19 gusht 2019

Krejtësisht i veçantë është rasti i Flamurtarit, që deri para pak ditësh nuk kishte nisur stërvitjen. Pas largimit të trajnerit Gerd Haxhiu, drejtimi i skuadrës i është besuar Dritan Sadedinit, ndërkohë që klubi ka zyrtarizuar disa lojtarë të rinj brenda pak ditësh. Interesant është fakti që shumica e këtyre afrimeve janë nga Shkodra. Pas rinovimit me Xhevahir Sukajn, Flamurtari ka marrë edhe Olsi Gocajn, Denis Pjeshkën dhe së fundi Ansi Nikën. Janë katër ish-lojtarë të Vllaznisë, të cilët janë veshur kuqezi dhe do të jenë titullarë në Vlorë, pasi Flamurtari ka një organikë të reduktuar për momentin. Janë rikthyer Ardit Hoxhaj dhe Shpëtim Moçka dhe kanë firmosur gjithashtu Vatnikaj, boshnjaku Bajraktareviç dhe kosovari Mema.

Kukësi ka zyrtarizuar ditët e fundit afrimin e mbrojtësit Erhun Obanor, i cili më parë ka qenë pjesë edhe e kombëtares nigeriane. Ai ka luajtur më parë në Kroaci dhe në Gjermani. Kukësi e ka marrë këtë futbollist për të zëvendësuar ish-kapitenin Ylli Shameti, i cili është larguar pak ditë më parë. Po ashtu, nga Kukësi është larguar edhe qendërmbrojtësi tjetër, Ardian Cuculi. Pas humbjes në ndeshjen e Superkupës ndaj Partizanit, trajneri Duro u shpreh se pret edhe përforcime të tjera para nisjes së kampionatit. Shpresat janë për Kristal Abazajn, i kërkuar edhe nga Tirana në formë huazimi.

Erhun Obanor, afrimi i fundit i Kukësit. Gazeta Si, 19 gusht 2019

Goditje të rëndësishme në merkato ka bërë edhe Bylisi i ngjitur në Superiore. Ditmar Bicaj ishte goditja e parë e befasishme e ballshiotëve, kurse e dyta është ajo e portierit kryeqytetas, Isli Hidi. Partizani, Teuta dhe Laçi e kanë plotësuar organikën, edhe Vllaznia i ka bërë shpejt lëvizjet e saj, duke marrë lojtarë të huaj, i fundit sulmuesi brazilian Emerson. Në merkato mbeten Flamurtari dhe Skënderbeu. Korçarët kanë pasur problematikën e tyre me dënimin nga UEFA, por ia kanë dalë të ruajnë një pjesë të mirë të grupit të sezonit të shkuar, si dhe të rikthejnë trajnerin Ilir Daja. Sidoqoftë, kanë nevojë për futbollistë të tjerë, që pritet të zyrtarizohen brenda javës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë