Futboll

Flamurtari kërkon dënim shembullor për Partizanin

I vonuar me dy ditë, por më në fund ka ardhur edhe reagimi i Flamurtarit për dhunën në ndeshjen Partizani-Flamurtari në javën e 23-të Superligës. Klubi vlonjat përmes një reagimi në rrjetet sociale nuk i ka kursyer thumbimet dhe sulmet në drejtim të Partizanit për atë që ka ndodhur në stadiumin “Selman Stërmasi”, por edhe për reagimi që “klubi i kuq” bëri ditën e djeshme. Flamurtari sqaron se fotografi që u sulmua nga tifozët e Partizanit është zyrtar i këtij klubi që figuron i regjistruar në FSHF dhe fton Partizanin që para se të dalë me deklarata të nxituara të shohë dokumentet.

“Së pari, "personi me aparat fotografik" është zyrtar i klubit Flamurtari, ka qenë gjithnjë në dy sezonet e fundit, është i regjistruar në Federatën Shqiptare të Futbollit… Së dyti, "personi me aparat fotografik" nuk ka luajtur asnjë rol aktiv duke provokuar tifozët. Nëse drejtuesit e Partizanit nuk e kanë këtë informacion, mund të shohin gjithë ndeshjet e fundit të Flamurtarit dhe fotot e postuara në faqen zyrtare të klubit, për të kuptuar që pas çdo goli futbollistët kanë zgjedhur atë mënyrë festimi dhe kërkojnë ata që të fotografohen ashtu, në njërin cep të fushës.”- thuhet ndër të tjera në njoftimin e Flamurtarit.

Flamurtari e akuzon Partizanin për ngjarjen, pasi duke qenë klubi organizator i ndeshjes njëkohësisht ishte edhe përgjegjës për sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes. “Çdo njeri e di që me rregullore klubi mikpritës mban përgjegjësi për mungesën totale të sigurisë në zona të caktuara të stadiumit dhe nuk mund të justifikohet në këtë mënyrë, duke akuzuar herë zyrtarin e klubit vizitor e herë forcat e sigurisë, që në fakt janë kontraktuar nga vetë klubi që organizon ndeshjen.”- shkruan Flamurtari.

Në fund të reagimit të tij, klubi i Flamurtarit ka edhe një apel për FSHF-në, duke i kërkuar asaj që për aktet e ndodhura të jepet një dënim shembullor, që të jepet mesazhi që ato mos të përsëriten në të ardhmen. “Bëjmë thirrje që secili të marrë përgjegjësinë që i takon dhe organet zyrtare në Federatën Shqiptare të Futbollit të zbatojnë rregulloret, si në çdo vend të zhvilluar dhe në çdo kampionat që ne synojmë ta arrijmë si nivel futbolli e organizimi. Në rast se nuk do ketë reagim të fortë për një ngjarje të tillë, atëherë është e qartë që krijohet një precedent i rrezikshëm dhe ngjarja e së shtunës mund të përsëritet në çdo stadium, ndërsa pas saj çdo klub do të justifikohet se "ishin vetëm pak tifozë, nuk ka arsye për të na dënuar".”- shkruan klubi i Flamurtarit.

https://www.facebook.com/FlamurtariFaqjaZyrtare/posts/2512595448815962?__xts__%5B0%5D=68.ARCl4DLPboz5XxUsS8RWZ4IgTThUVL3cdi85tYJs5LE9wDZ-GpVmM_8OWdEox26JHHfONalfJYD4MjXYXY2a5Py8OCR9904z34SI6QjewHaRg2n6yFSzCThIt0ypuUF4ZmxhfFNoIWs9PdZiGcbMQpc2UkQuUUgjm--8OJTou6AQ-QBNY9CrQIMsF1CRW5_4t7vnlopu4EWKjr_6HWugU0NnGY9Fr76t_BD0E1hYeW-pPv53i9R6AhP6xnzRoXIazJIXpcWHS4rxb3kDlUpI6_W00sk1nUBWsPrnA7MMQ03Jky6hzas7bkpaUcvon6KSJ6I-CeALMUWF1l1vt1t7tm_1Bw&__tn__=-R

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë