Futboll

Flamurtari i shpëton ‘ferrit’ të së Dytës, tani objektivi është Superiorja  

Gazeta Si - Flamurtari është një nga dramat e shumta sportive të viteve të fundit në Shqipëri. Një nga shkollat më të mira të futbollit shqiptar preku fundin sezonin që shkoi, kur ra në Kategorinë e Dytë, që është niveli më i ulët. Një njollë e zezë kjo në historinë e këtij klubi të madh, por për fat të mirë tani, pa u mbushur një vit, vlonjatët kanë ngjitur menjëherë një shkallë.

Me fitoren e fundit ndaj Luftëtarit, një tjetër dramë sportive e futbollit tonë, Flamurtari siguroi zyrtarisht ngjitjen në Kategorinë e Parë, që mbetet gjithsesi nivel inferior, por që i jep mundësinë kësaj skuadre të luftojë për rikthimin në Superiore sezonin e ardhshëm.

Ekipi i Flamurtarit para ndeshjes me Luftëtarin. Gazeta Si, 18 prill 2022

Rikthimi i shpejtë nga “ferri’ u bë i mundur, pasi klubi vlonjat kishte një grup futbollistësh me shumë përvojë, që për Kategorinë e Dytë janë luks. Emra të njohur edhe në Superiore, si Ditmar Bicaj, Shpëtim Moçka, Andi Ribaj, Behar Ramadani, Alket Çelhaka dhe të tjerë, luajtën për Flamurtarin në Kategorinë e Dytë, në respekt të fanellës së tij.

Sigurisht, në Vlorë nuk është koha për festë, por për një organizim sa më të mirë për sezonin e ri, në mënyrë që të mos diskutohet rikthimi në elitë, ku Flamurtari ka vendin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë