Lajme

Flamuri kombëtar ringrihet mes rrënojave

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, thotë se Festa e Flamurit ka gjetur çdo shqiptar të goditur fort nga tragjedia e tërmetit që la pas dhjetëra viktima.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ministri Lleshaj ka publikuar një foto të flamurit kombëtar, i cili u gjet mesnatën e mbrëmshme nga forcat e kërkim shpëtimit shumë pranë viktimave të nxjerra nga rrënojat e banesave në Thumanë.
Lleshaj ndër të tjera thotë se “ky flamur le të jetë lutja jonë për shpirtrat e atyre që e lanë pas, si simbolin më të lartë që bën bashkë shqiptarët kudo që janë dhe mesazhi ynë për nderimin e Festës sonë kombëtare”.
“28 Nëntori i sivjetmë na gjen të goditur fort, por jo të thyer.
Ky flamur, që u gjet pak minuta para mesnatës së mbrëmshme, shumë pranë viktimave të fundit të nxjerra nga gërmadhat në Thumanë, sikur i ndriçoi sytë dhe zemrat e heronjve shqiptarë, që edhe me thonj kanë gërmuar pa pushim për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej.
Ishte ky flamur, i nxjerrë nga rrënojat, që për pak çaste e largoi dhimbjen e përzishme dhe ktheu dritën e shpresës.
Le të jetë ky flamur, lutja jonë për shpirtrat e atyre që e lanë pas, si simbolin më të lartë që bën bashkë shqiptarët kudo që janë dhe mesazhi ynë për nderimin e Festës sonë kombëtare.
Rroftë Shqipëria!”, shkruan ministri Lleshaj në “Facebook”.

https://www.facebook.com/lleshajsander/photos/a.295958931053442/468974113751922/?type=3&theater

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë