Rend dhe Ligj

“Fituat 700 mijë USD”. Kujdes, mesazhi mashtrues që po qarkullon në WhatsApp edhe në Shqipëri

Policia e Shtetit paralajmëron qytetarët se kryesisht në platformën e komunikimit “Whats App” po qarkullon një mesazh mashtrues që përdoret si “karrem” nga hakerat për të përvetësuar në mënyrë të paligjshme të dhënat personale të viktimave, që më pas mund të çojë deri tek ndërhyrja në llogaritë bankare të tyre.

Sinjalizimi i qarkullimit të një mesazhi të tillë mashtrues në gjuhën angleze ka mbërritur në Njësinë e Hetimit të Krimeve Kompjuterike. Këto mesazhe janë me qëllim mashtrimin e shtetasve që vendosin t’iu përgjigjen atyre.

Policia thotë se kryesisht këto mesazhe dërgohen në aplikacionin WhatsApp në anglisht që në shqip përkthehet si më poshtë: “Urime!!, Numri juaj i telefonit është zgjedhur si fitues i shtatëqind mijë dollarëve të Shteteve të Bashkuara (700,000.00USD) në programin e donacionit COVID-19 të ËhatsApp 2020. Dërgoni referencën tuaj fituese Nr.WH/US-6463457 në email: info@intldraws për më shumë detaje si të tërhiqni fondet tuaja. Kontaktoni info@intldraws për pyetje të mëtejshme. SHËNONI QË KY ËSHTË NJË TEKST KONFIDENCIAL”.

Por si dallohet një mesazh mashtrues?

Nëse viktima i kthen përgjigje, organizatorët e këtij mashtrimi i kërkojnë të dhëna që kanë të bëjnë me emrin e plotë, vendin, numrin e telefonit, shtetësinë, adresën, moshën, gjininë, statusin civile dhe profesionin. Në vazhdim të komunikimit, organizatorët e mashtrimit përdorin kryesisht një klonim të adresës zyrtare të WhatsApp, por nuk mungojnë dhe adresa të tjera të postës elektronike si psh: [email protected] dhe [email protected] Për të bindur viktimën se ka fituar vërtet çmimin, hakerat i dërgojnë gjasmë një certifikatë të fitimit të çmimit.

Pas kësaj faze, hakerat u kërkojnë viktimave të dhënat bankare ku gjasmë do t’u kalojnë çmimin e fituar, por që në të vërtetë të dhënat mund të përdoren për të aksesuar në mënyrë të paligjshme këto llogari.

Policia kujton se organizatorët e kësaj skeme mashtrimi mbeten të paidentifikuar edhe nga ana e policive të tjera, por thotë se janë pjesë e atij që njihet si “Rrjeti nigerian i mashtrimeve”. Uniformat blu theksojnë se nga viktima të këtij mashtrimi mund të bien të gjithë përdoruesit e WhatsApp.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë