Kombetarja

Fitoret mbushin me shpresë Bushin: Kemi grup me të ardhme

Barazimi me Turqinë në eliminatore dhe dy fitoret në miqësore me Uellsin kanë sjellë një atmosferë shumë pozitive në kombëtaren shqiptare U-21. Trajneri Alban Bushi që shumë herë ishte kritikuar për mungesën e rezultateve në ekipin e tij, duket se po shikon frytet e punës së gjatë në drejtimin e këtij ekipi. Duke folur për mediet pas ndeshjes, Bushi ka thënë se aktualisht brezi që ka ardhur në “kombëtaren shpresa” është shumë i mirë dhe me një të ardhme të sigurt.

Sipas Bushit, të treja këto ndeshje kanë pasur rëndësinë e tyre, pasi ekipi ishte në një moment delikat dhe fitoret kanë sjellë atmosferën e duhur pozitive në dhomat e zhveshjes. Pas këtyre tre ndeshjeve të mira priten rezultate pozitive edhe në përballjen eliminatore me Austrinë, që në letër ka një ekip më të mirë se Shqipëria.

“Jam i kënaqur me skuadrën pasi në fushë ishin edhe disa lojtarë që nuk i kam parë. Katër prej tyre janë futbollistë që nuk kanë ardhur më parë në ekipin Shpresa. Gjithashtu, dy futbollistë i kisha nga ekipi U-19 dhe nuk e dija si do të reagonin. E kisha me emocion dhe prandaj qëndruam shumë mbrapa dhe të luanim me kundërsulm. Kemi grup të mirë për të ardhmen. Ky ekip e justifikoi veten me çfarë bëri në këto tri ndeshje që luajtëm gjatë këtyre ditëve. Gjithashtu, këto dy miqësore na bëjnë mirë për të përgatitur sfidë që do të zhvillojmë ndaj Austrisë”, deklaroi Alban Bushi pas fitores 3-1 në miqësoren me Uellsin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë