Kombetarja

Fitore pa ngjyra në Andorrë, Shqipëria merr tri pikët e para në grup

Tri pikë dhe pak ose aspak emocione nga Shqipëria. Skuadra kuqezi ka mundur 0-3 Andorrën, duke marrë fitoren e parë në Grupin H të eliminatoreve Euro 2020, falë golave të Sadikut, Balajt dhe Abrashit. Por ky është një rezultat i gënjeshtërt dhe nuk pasyron atë që skuadra e drejtuar nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema dha në fushë. Shqipëria ishte shumë larg nivelit të pritshëm ndaj një kundërshtari tepër modest dhe ndeshja mbeti e hapur në deri në fund. Deri në minutën e 88-të rezultati ishte 0-1 dhe kuqezinjtë rrezikuan jo pak. Gjithsesi, në fund erdhën edhe dy golat e tjerë dhe tani jemi në vend të tretë në grup, pas Francës dhe Turqisë, që kanë nga 6 pikë.

Trajneri Bulku kishte bërë disa ndryshime në raport me formacionin e Shqipërisë në ndeshjen me Turqinë. Aliji zuri vendin e Veselit në të majtë të mbrojtjes, Kaçe vendin e Abrashit dhe Basha vendin e Memushajt në mesfushë. Në sulm, Sadiku dhe Grezda e nisën nga minuta e parë, bashkë me Uzunin. Shqipëria kishte nën kontroll lojën, por nuk po arrinte ta godiste portën e Andorrës. Për zhbllokimin e rezultatit mendoi portieri vendës, që bëri një gabim fatal, duke i falur Sadikut golin e avantazhit. Edhe pas këtij goli, loja e kuqezinjve nuk ndryshoi dhe rastet munguan. Asgjë për t’u shënuar, duke përjashtuar ndonjë përpjekje të Uzunit dhe Kaçes për të vertikalizuar në zonë.

Sadiku, autori i golit të parë, në aksion

Në mesin e pjesës së dytë, trajneri Bulku nisi ndërrimet dhe i pari hyri në fushë Abrashi, në vend të Xhakës, më pas ishte radha e Balajt, që mori vendin e Grezdës dhe në fund Memushaj zëvendësoi Bashën. Kur dukej se ndeshja do të mbyllej me fitoren minimale të Shqipërisë, Balaj dyfishoi me një goditje brenda zonës me të djathtën, ndërsa në minutën e 5-të shtesë, Abrashi trefishoi me kokë. Kuqezinjtë kanë bërë detyrën, duke marrë fitoren, por pa shkëlqyer në lojë. Trajneri i ri i Shqipërisë, që pritet të emërohet shumë shpejt, ka shumë punë për të bërë.

Skuadra nuk ka harmoni në veprimet e saj dhe rrjedhshëmri në lojë. Mungon bashkëpunimi mes reparteve dhe rastet që krijohen në sulm janë sporadike. Duhet një dorë e fortë për ta sjellë këtë skuadër në vete. Pas dy ndeshjeve të para në grup, kuqezinjtë mbajnë vendin e tretë, me 3 pikë. Shanset për kualifikim janë në teori, por loja nuk premton asgjë.

Tifozë kuqezi në stadiumin e Andorrës

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë