Kombetarja

Fitore me “mik” për Shpresat, Hebaj sërish protagonist

Dy ndeshje miqësore me një kundërshtar të dobët si Malta, por edhe të gjykuara nga arbitra shqiptarë, që Kombëtarja U-21 e futbollit të gjejë golat dhe fitoret. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës u mbyll me rezultatin 3-2. Në këtë 90-minutësh pati dy përmbysje, e para nga maltezët, që nga 1-0 e çuan rezultatin në 1-2, dhe më pas nga kuqezinjtë, që në fund triumfuan 3-2. Por edhe në këtë ndeshje, ashtu si pak ditë më parë, Shqipëria ka marrë një 11-metërsh të kontestuar nga Malta. Arbitri Hamiti u dha një dorë kuqezinjve, duke i “ndihmuar” me penalltinë e golit të barazimit në 2-2. Maltezët kanë protestuar ndaj vendimeve të Hamitit, si në ndeshjen e parë ndaj Xhajës.

Protagnistët e ndeshjes në Shkodër kanë qenë sërish Hebaj dhe Shefiti. Ky i fundit shënoi golin e parë, pas një skeme të skuadrës sonë, ndërsa sulmuesi shkodran i Partizanit realizoi dy golat e tjerë, të parin nga pika e bardhë e penalltisë. Kuqezinjtë e trajnerit Bushi ishin më mirë në pjesën e parë, ndërsa në të dytën loja e tyre pati një rënie, megjithatë ata e fituan ndeshjen. Pesë gola të shënuar dhe dy të pësuar nga Shpresat në këto dy ndeshje miqësore me Maltën, që vlejnë më shumë në aspektin psikologjik.

Nga ndeshja Shqipëri U-21-Maltë U-21

Trajneri Alban Bushi ka bërë pesë ndërrime në këtë ndeshje. Ai ka parë gjendjen e gjithë lojtarëve dhe ka tashmë një ide më të qartë për të ardhmen.

Shqipëri-Maltë   3-2

Shënues: Shefiti 11′, Hebaj 73′ (p), 87′/ Brinkat 37′, 66′

Shqipëria: Dajsinani, Tafa, Mersinaj, Maloku, Kryeziu, Muçolli (Basha 46’), Imeri (Fazlliu 59’), Zeka (Hasanaj 70’), Mala (Selahi 46’, Lleshi 80’), Shefiti, Hebaj. Trajner: A.Bushi.

Malta: Vella, Borg, Sansone, Guijamier, Frixhieri (A.Borg 72’), Zamit, Pulis, Berman, Shou, Zerafa, Brinkat. Trajner: S.Vela.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë