Ekonomi

Fitch përmirëson parashikimin, ekonomia shqiptare do të rritet nga 4.3% në 5.7%

Fitch Solutions, një njësi e inteligjencës së agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit Fitch, ka rishikuar në rritje me 1.5 pikë përqindje parashikimin për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë për vitin 2021, duke e çuar atë në 5.7% nga 4.3% që ishte vlerësuar në raportin e mëparshëm.

 "Ne kemi rishikuar parashikimin e rritjes reale të PBB-së 2021 për Shqipërinë në 5.7%, nga 4.3% më parë. Pjesa më e madhe e rikuperimit do të jetë nga formimi bruto i kapitalit fiks për shkak të përpjekjeve të rindërtimit pas tërmetit. Ndërkohë, ne presim që progresi i shpejtë i vazhdueshëm i vaksinimit Covid-19 në Shqipëri të mbështesë një rikuperim të qëndrueshëm të konsumit privat, ndërsa një përmirësim i mbledhjes së taksave në përputhje me rimëkëmbjen ekonomike mbështet rritjen e vazhdueshme të shpenzimeve qeveritare", thuhet në raportin e fundit.

Fitch Solutions parashikon që eksportet e mallrave do të rriten gjatë vitit ndërsa kërkesa nga Europa përmirësohet, megjithëse eksportet e shërbimeve do të duan më shumë për t’u rikuperuar si rrjedhojë e ndërprerjeve të vazhdueshme nga Covid-19.

Raporti vlerëson se investimet publike duket se do të jenë një pikë relativisht e fortë për rritjen e këtij viti, si rrjedhojë e financimit të projekteve të shtyra dhe aktiviteteve të rindërtimit të lidhura me tërmetin e 26 nëntorit 2019.

Institucionet e tjera ndërkombëtare janë më pak optimiste për rritjen ekonomike.

Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka rishikuar në ulje pritshmërinë për ecurinë ekonomike të vendit në 5% nga 6.1% që ishte në vlerësimin e tetorit ndërsa Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pret që ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 4.5% këtë vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë