Ekonomi

Fiskalizimi, përfitimet dhe kush përjashtohet

Projektligji për fiskalizimin që do të hyjë në fuqi në janar, por për 6 muaj do të shërbejë si fazë tranzitore që biznesi të përshtatet, ka për qëllim formalizimin e mëtutjeshëm të ekonomisë, shmangien e fenomenit të pastrimit të parave dhe të zhvillojë kushtet për zhvillimin e konkurrencës së ndershme.

Tatimet bëjnë me dije për gazetën “Si” se fiskalizimi është një tërësi masash të cilat do të mundësojnë raportimin në kohë reale te informacionit në Administratën Tatimore.
Për këtë, ata që do ti nënshtrohen këtij procesi duhet të pajisen me në certifikatë digjitale për nënshkrimin elektronik të faturave, të sigurojnë një pajisje fiskale dhe zgjidhje softuerike e cila lëshon dhe dërgon fatura elektronike si dhe të kenë një lidhje me internet.

Në këtë mënyrë, çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit do të raportohet në momentin kur kryhet dhe jo në fund të ditës.

Ata që detyrohen të zbatojnë këtë ligj janë të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë faturë; organet publike, bankat, institucionet financiare jobankare dhe subjekte të tjera, që ofrojnë shërbime pagesash të faturave elektronike.

Tatimpaguesi, që lëshon fatura, detyrohet të paraqesë nëpërmjet platformës qendrore të faturave të dhënat për vendin e ushtrimit të veprimtarisë së tij.

Ata që përjashtohen nga sistemi i ri i raportimit të transaksioneve financiare janë fermerët, tregtarët ambulantë dhe linjat e transportit publik urban që shërbejnë me bileta.
Sipas tatimeve, biznesi i vogël do të ketë procedurë të thjeshtëzuar për kryerjen e procesit të fiskalizimit. Tatimpaguesve të kësaj kategorie do t’u krijohet mundësia që ti fiskalizojnë faturat e tyre elektronike nëpërmjet portalit qendror të shkëmbimit të faturave.

Për këtë biznesit të vogël do ti duhet të ketë një certifikatë digjitale për nënshkrimin elektronik, lidhje me internet dhe një pajisje e cila mund të lidhet me portalin për lëshimin dhe dërgimin e faturave.

Gjithashtu, thonë tatimet, aktualisht po punohet me mundësinë që pajisjet fiskale aktuale të përshtaten, gjë e cila do të rezultojë në një lehtësirë për tatimpaguesit, veçanërisht për biznesin e vogël.

Pra, kasat fiskale që janë në përdorim, do të vazhdojnë të punojnë me sistemin e ri.
Ofrimi i zgjidhjeve softuerike do të funksionojë në bazë të një tregu të hapur.

Në këtë kontekst, Administrata Tatimore do të ketë rol menaxhues dhe administrues të subjekteve të cilat do të çertifikohen dhe do të plotësojnë kriteret teknike të kërkuara në sajë të funksionimit të procesit të fiskalizimit dhe raportimit të të dhënave.

Aktualisht kompanitë e interesuara janë në fazë testimi dhe përshtatjeje të zgjidhjeve të tyre softuerike në përputhje me specifikimet teknike të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Administrata Tatimore bën me dije se ka nisur cikli i parë i trajnimeve mbi projektin e Fiskalizimit, duke filluar me Trajnimin e trajnerëve rajonalë, specialistë me përvojë, të përzgjedhur nga secila prej Drejtorive Rajonale Tatimore.

Kjo është vetëm faza e parë e një cikli të gjerë trajnimesh, thonë tatimet për gazetën “Si”, i cili përveç stafit të Administratës Tatimore, përfshin edhe trajnimin e tatimpaguesve dhe specialistëve të fushës në lidhje me këtë projekt. Trajnimet do të shtrihen në të gjithë vendin dhe do të organizohen në bashkëpunim me Qendrën e Trajnimit të Administratës Tatimore dhe Doganore(QTATD), duke përcjellë njohuritë e nevojshme mbi të gjitha fazat dhe modalitet e zbatimit të këtij projekti.

Ky projektligj paraqet efekte në buxhetin e shtetit, të cilat lidhen me implementimin e projektit “Përmirësimi i modulit të menaxhimit të kontrollit të faturimit (fiskalizimi)”, konkretisht 2 238 182 000 lekë.

Ministria e Financave pretendon që të ardhurat në vitin e parë për arkën e shtetit të jenë vetëm 2 mld lekë për shkak të periudhës tranzitore, por qëllimi është më madhor për të formalizuar më tutje ekonominë e si rrjedhojë do të vijnë duke u shtuar më tej të ardhurat në buxhet.

Sipas relacionit të projektligjit, efektet pozitive nga implementimi i plotë i projektit të fiskalizimit, të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme priten të rriten me rreth 20-30%, krahasuar me TVSH-në që arkëtohet aktualisht.

Në terma sasiorë, të ardhurat nga TVSH-ja pritet të rriten 10 miliardë lekë ose me rreth +0,5 deri +0,6% të PBB-së.

Objektivi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë është që, në terma afatmesëm 3-4 vjeçarë të implementimit të projektit të fiskalizimit, të ardhurat nga TVSH-ja të arrijnë mbi 9,2% e PBB-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë