Arsim

Firmoset marrëveshja me AADF për krijimin e Agjencisë Arsimore, do menaxhojë provimet e shtetit dhe maturës

Nga Gazeta Si- Ministria e Arsimit dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim kanë nënshkruar marrëveshjen për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore.

Ligji për Agjencinë u miratua në parlament vetëm dy javë më parë me 76 vota pro.

Kjo marrëveshje synon të transformojë institucionin përgjegjës për administrimin e provimeve kombëtare dhe shërbimeve të tjera kyçe arsimore (QSHA) në një institucion autonom.

Sipas ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, krijimi i AKShA do të mundësojë përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe përafrimin e tyre me standardet ndërkombëtare.

Veprimtaria e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore do të mbikëqyret nga Ministria e Arsimit, e cila do të ketë për detyrë të verifikojë zbatimin e politikave dhe strategjive kombëtare në fushën e arsimit. Në projektligjin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore, parashikohet drejtimi nga një këshill drejtues. Ky këshill do të drejtohet nga ministri përgjegjës për arsimin dhe vendimet më të rëndësishme të Këshillit, që kanë të bëjnë me buxhetin, pagat, dhe tarifat për shërbimet publike, do të miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Në një retrospektivë për mënyrën si gjërat funksiononin më parë krahasuar me tani, kryeministri Edi Rama u shpreh se vetë procesi rrëzoi çdo akuzë ndaj tij.

“Nuk munda të mos kthehem mbrapa në momentin kur hodhëm hapin e parë në digjitalizimin e sistemit duke vendosur një sistem rankimi të bazuar në rezultate dhe duke e bërë praktikisht të pamundur vazhdimin e rrugës së kaosit ku kush kishte një mbështetje, lidhje apo mundësi për të paguar, kapërcente dhe zinte vendin e dikujt tjetër që nuk i kishte. Atë kohë pati një reagim shumë të madh kundër një procesi të tillë, por vetë procesi i rrëzoi të gjitha pretendimet dhe akuzat që u ngritën sepse për herë të parë nuk pati ankesa”, tha Rama, duke shtuar se procesi ishte i tëri i bazuar në fakte dhe i përpunuar nga teknologjia.

Më tej, duke iu referuar kritikave për “pushtim” nga amerikanët apo britanikët, Rama njoftoi “planet djallëzore për të tjera marrëveshje që do të sjellin përfitime për studentët dhe nxënësit”.

“Sot do të vazhdojmë ditën me disa plane të tjera djallëzore marrjesh në zotërim nga amerikanët të vlerave, aseteve, qendrave heroike të Shqipërisë dhe gjëja më e rëndësishme është që nga gjithë këto operacione anësore do të fitojnë e përfitojnë fëmijët, të rinjtë, nxënësit, studentët”, shtoi Rama.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, tha se Kembrixh do të ndihmojë në modernizimin e sistemit dhe logjistikës të Agjencisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë