Futboll

Firmos holandezi De Ligt, edhe Nejmar i vetofrohet Juventusit

Të martën në mbrëmje mbërriti në Torino mbrojtësi holandez Mathis De Ligt, i cili sot ka hyrë zyrtarisht në botën bardhezi. Është blerja e madhe e Juventusit në merkaton e verës. Ai është marrë nga Ajaksi për shifrën totale të 75 milionë eurove (70+5 bonus), ka kryer vizitat mjekësore dhe ka firmosur kontratën 5-vjeçare, nga e cila do të përfitojë rreth 12 milionë euro në vit. Mbrojtësi është takuar me trajnerin Mauricio Sarri dhe shokët e skuadrës së re. De Ligt kërkohej nga klubet më me emër në Europë, me Barcelonën që dukej se do ta bashkonte sërish me De Jong, por garën në fund e fitoi Juventusi.

Mathis De Ligt mbërrin në "J Medical"

Ish-kapiteni i Ajaksit konsiderohet një nga mbrojtësit më të mirë në botë dhe klubi bardhezi nuk është kursyer, aq më tepër që ai është ende 19 vjeç. Agjenti i njohur italian, Mino Raiola, thotë me bindje se holandezi është numri 1: "De Ligt ka personalitetin e Ibrahimoviçit dhe mendësinë e Nedved", - e përshkruan ai blerjen e fundit të Juventusit, që i ka çuar në delir tifozët e këtij ekipi. “Juventusi është klubi i duhur për të dhe idetë e tij për futbollin. Është ekipi ideal për karrierën e tij dhe për një mbrojtës është shumë e rëndësishme të luajë në Itali. De Ligt është mbrojtësi numër 1 në botë sa u takon të rinjve, por shumë shpejt do të jetë i tillë për çdo nivel”, - ka shtuar Raiola.

Nejmar i"shkel syrin" Juventusit

Holandezi mbërriti mëngjesin e sotëm në “J-Medical”, ku kreu testet mjekësore, për të vazhduar me firmën në kontratën me Juventusin. Një lajm i bujshëm vjen ndërkohë nga Spanja. “Mundo Deportivo” shkruan se Juventusit i është vetofruar edhe Nejmar. Braziliani ka vendosur të largohet nga PSG-ja, por rikthimi te Barcelona duket i pamundur dhe ai ka angazhuar agjentin e njohur Pini Zahavi për të studiuar terrenin te Juventusi. Ishte po ky agjent që e çoi nga Barcelona te PSG-ja dhe tani mund të bëjë një tjetër transferim të bujshëm. Megjithatë, janë termat ekonomikë që vendosin dhe për momentin mbetet vetëm një ide. Para de Ligt, me Juventusin ka firmosur edhe mesfushori francez Rabiot, ndërkohë që vendin e Alegrit në stol e ka zënë Sarri. Juventusi po fuqizohet gjithmonë e më shumë dhe tifozët e tij ëndërrojnë Championsin sezonin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë