Politike

Firmat e Berishës për Kuvendin Kombëtar, Basha: Kemi të dhëna se po bëhet puç brenda PD-së

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha reagoi një ditë pas depozitimit të firmave për Kuvendin Kombëtar nga pala e Sali Berishës tek kryetari i Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.

“…Kemi një regjim përballë dhe po shikoni se regjimi mbështetet në një trekendësh. Kemi të dhëna që regjimi është bërë pjesë e përpjekjes për një puç brenda Partisë Demokratike. Kam vetëm një thirrje dhe një ftesë Sali Berishës. Nuk i kishe firmat dhe nuk i dorëzove te organet statutore ashtu siç i di fare mirë rregullat e kësaj partie se ke qenë kryetar i kësaj partie. Boll harxhove kohën dhe energjitë e demokratëve, boll ndihmove Edi Ramën! Partia Demokratike  do bëjë gjithçka nën lidershipin e zgjedhur që kundërshtarin e vetëm të Shqipërisë dhe armikun e vërtetë të përditshmërisë së shqiptarëve, Edi Ramën dhe regjimin e tij ta çojë një orë e më parë përpara fundit të merituar politik. Ne jemi në atë parlament që ky fund të vijë një orë e më parë për të rikthyer demokracinë dhe legjitimitetin në shina. Siç e dini fare mirë kemi çuar iniciativa dhe do ndërmarrim çdo aksion politik edhe me ndihmën e partnerëve tanë që jo vetëm demokratëve por gjithë shqiptarëve tu kthehet vota e vjedhur dhe shpresa e vrarë…”, tha Basha për mediat.

Kryetari i demokratëve nënvizoi se rruga e depozitimit të firmave nga Berisha është krejt ndryshe nga ajo që përcakton statuti.   

“Zoti Berisha ka qenë për një kohë shumë të gjatë kryetar i Partisë Demokratike, e di shumë mirë statutin, rregullat e partisë. E di se si vihen në lëvizje mekanizmat për thirrjen e Kuvendit. Jam thellësisht i zhgënjyer nga tallja që ka bërë me demokratët dje duke fshehur blofin e tij dhe  mungesën e firmave për ¼ e anëtarëve të Kuvendit që do të vinin në lëvizje mekanizmin për thirrjen e Kuvendit. Nëse do ti kishte mbledhur do kishte dorëzuar sipas statutit që të nisnin procedurën statutore që ai e njeh shumë mirë. Dhe fakti që ai se ka bërë, çdo demokrat e kupton pse s’e ka bërë sepse  e gjitha ka qenë një blof. Dhe atë që e nisi si betejë gjoja për demokratizimin e Partisë Demokratike  përfundoi si betejë për hallet e tij personale dhe për pushtetin e tij personal”, tha ai.

Basha tha se është i gatshëm ta mbledhë Kuvendin Kombëtar në çdo kohë por jo në këtë rast, dhe për vendime që sipas tij lidhen me SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë