Mënyra e depozitimit të firmave të 4200 delegatëve që Sali Berisha pretendon se i ka konform statutit për të mbledhur Kuvendin e jashtëzakonshëm Kombëtar ka nxjerrë në pah një ngërç të madh në mos një proces “rrumpallë” që është ndjekur deri më tani me zbatimin e procedurave për mbledhjen e organit më të rëndësishëm vendimmarrës Kuvendin Kombëtar.
Kuvendi i fundit kombëtar i PD u mblodh në korrik dhe shumëkush në PD (ata pro dhe kundër) e kanë të freskët procesin se si është vepruar.
Por sot të ndarë në dy fronte interpretimet për statutin janë krejt të ndryshme.
Belind Këlliçi që ishte anëtar i Komisionit të Verifikimit të Mandateve në Kuvendin Kombëtar të korrikut tha për mediat se firmat e delegatëve mund të dorëzoheshin vetëm tek zyra e Edi Palokës, “si drejtues i zgjedhur i Këshillit Kombëtar, i cili sipas statutit është organi më i lartë drejtues i Partisë Demokratike në periudhën midis dy Kuvendeve”.
Sipas tij, firmat nuk janë sekret por mund të shihen në zyrën e Palokës nga kushdo zyrtar që është i interesuar.
Por verifikimi i tyre, sipas tij, mund të bëhet vetëm ditën e Kuvendit Kombëtar dhe asnjë ditë më parë.
“I vetmi organ që ka të drejtë të bëjë verifikimin është Komisioni i Verfikimit të Mandateve që ngrihet atë ditë…
Është detyrë e vetë Kuvendit Kombëtar të vetëmblidhet në këtë rast.
Brenda 30 ditëshit njoftohet dita ora dhe vendi dhe bëhet verifikimi. Në Kuvendin e fundit Kombëtar Jemin Gjana ka njoftuar ligjshmërinë e Kuvendit…”, tha Këlliçi.
Edhe në njoftimin zyrtar të thirrjes së Kuvendit Kombëtar thuhet se, “kompetencën për verifikimin e mandateve të delegatëve që thërrasin Kuvendin Kombëtar sipas statutit, si dhe të delegatëve që do të marrin pjesë në Kuvend, e ka drejtpërdrejt dhe vetëm Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike nëpërmjet organizmave të tij”
Krejt ndryshe e sheh Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Fillimisht ai iu referua të vetmit nen të statutit për këtë proces se “Sekretari i Përgjithshëm i partisë është institucioni që ka për detyrë të merret me organizimin e partisë dhe me funksionimin demokratik”
Pyetja që lind është a ka të drejtë Bardhi që të merret edhe më këtë procedure, sepse neni i sipërcituar prej tij nuk është shterues?
“Organizimi i Partisë Demokratike përfshin funksionimin e secilit prej organeve të Partisë Demokratike”, tha ai.
“Tani dua t’iu kujtoj secilit prej jush, mund edhe të nxjerrim procedurat e mbledhjes së kuvendit se cili prej anëtarëve të kuvendit, përpara ditës së kuvendit pajiset me një mandat që firmoset ose nga kryetari i partisë ose nga Sekretari i Përgjithshëm dhe me atë mandat të dhënë një muaj përpara secilit prej anëtarëve të kuvendit, paraqitesh përpara në sallën ku zhvillohet mbledhja e kuvendit dhe Komisioni i Verifikimit të Mandateve merr në dorëzim këtë mandat lëshuar nga Sekretari i Përgjithshëm apo nga kryetari i Partisë. Asnjë komision tjetër nuk i di kush janë anëtarët e kuvendit kombëtar”, sqaroi Bardhi pa cituar statutin per fazen e dyte te leshimit te mandateve.
Ndersa për komisionin e Verifikimit të Mandateve janë dakord të dyja palët.
Por deri tek ngritja e komisionit palët ndahen.
“Statuti i Partisë Demokratike parashikon një procedurë shumë të qartë se si mblidhet Kuvendi Kombëtar. Kërkon vendim të Kryesisë së partisë, që cakton rendin e ditës, orën dhe vendin e mbledhjes nuk e cakton Sali Berisha, askush tjetër, as Lulzim Basha madje, e cakton Kryesia e Partisë Demokratike, sekretari i përgjithshëm”, dha një tjetër përgjigje Bardhi.
Gjatë gjithë deklaratës se tij dhe qëndrimeve të mevonshme nëpër emisione televizive Gazment Bardhi i qëndroi kësaj procedurë, ndërsa pala tjetër akuzonte se Bardhi nuk duhet të ndërhynte fare në këtë proces se nuk e parashikonte statuti.
Të dyja palët flasin për statutin, pro asnjëra nuk referon nene konkrete dhe mbi te gjitha procedurën e lexojnë ndryshe.
Sepse si asnjëherë tjetër bëhet fjalë për një Kuvend të jashtëzakonshëm të kërkuar nga vetë delegatët
Parimisht, në bazë të statutit, vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e PDSH-së, me propozim të Kryetarit të PDSH-së.
Por Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH-së ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar.
Pala zyrtare pretendon se duhet te ndiqet edhe në këtë rast procedura e deritashme, (pra mbledhja e kryesisë dhe me pas këshilli) ndërsa pala kundërshtare thotë se nuk ka nevoje për mbledhje paraprake strukturash pasi me mbledhjen e firmave nga vetë delegatët, Kuvendi ka të drejtë të vetëmblidhet
Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit.
Pala zyrtare njofton se ajo duhet bere përmes organesh zyrtare, ndërsa pala kundërshtare e ka shpallur tashmë axhendën duke respektuar vetëm afatin një mujor.
Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të Punimeve të tij, po me propozimin e Kryetarit të Partisë.
Për procedurën e sakte që ndiqet gjithçka veprohet me rregullore te brendshme, atë proces që e di mjaft mire i ”zoti i i punës” Jemin Gjana si kryetar i komisionit të Mandateve, por që sot në kulmin e konfliktit është “zhdukur” pa lënë gjurme, duke lënë secilën prej palëve kundërshtare ta interpretoje gjithë debatin për firmat sipas interesit të vet politik.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje