Futboll

Fillon seriozisht merkato, Reali shpenzon 300 mln euro për Hazard

Tani nuk ka më vend për thashetheme, Eden Hazard është lojtari më i ri i Real Madrid. Pas disa ditësh kontakte dhe lajme pa fund në mediet spanjolle, mbrëmja e së premtes ka sjellë lajmin zyrtar për transferimin e sulmuesit belg në Madrid. Ky transferim është “bomba” e parë e kësaj merkatoje, pasi deri më tani lëvizjet e klubeve të mëdha dhe të vetë Real Madrid kishin qenë me një profil të ultë. Belgu dhe 140 milionë eurot e shpenzuara për të, ngre stekën e kësaj merkatoje që sipas gjasave premton të jetë goxha e nxehtë. Kalimi i Hazard te Real Madrid në të vërtetë është një mega-operacion financiar, kosto totale e tij mund të shkoj deri në 300 milionë euro.

Fillimisht “los blancos” do duhet t’i paguajnë klubit të Roman Abramoviç një shumë prej 100 milionë euro për të marrë kartonin e tij. Kjo shifër mund të rritet deri në 155 milionë euro në saj të bonuseve të vendosura dhe rezultateve që Hazard do të prodhojë në fushën e lojës. Pjesa tjetër, prej gati 150 milionë euro do të jetë rroga që është caktuar të marrë Eden Hazard në 5 vitet e tij si futbollist i Real Madrid.

Kjo rrogë që do të vërtitet diku te 30 milionë euro në sezon, e bën sulmuesin belg një nga më të paguarit në botë. Për Hazard në moshën 29-vjeçare ky kalim te Real Madrid është transferimi i jetës, një lëvizje që ai e kishte dëshiruar që prej kohësh. Që nga viti 2017-të, blegu e deklaroi hapur se ishte i gatshëm që ta shqyrtonte nëse do i vinte një ofertë nga “merengues”. Me këtë transferim Real Madrid mund të thuhet se e ka kompletuar vijën e parë të sulmit, duke formuar një katërshe të frikshme me Vinicius, Hazard, Benzema dhe Joviç. Mbetet për t’u parë se si do t’i jepet zgjidhje çështjes së Bejl dhe Asensio, që në këto momente duken me një këmbë të larguar nga Madridi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë