Futboll

Fillon “lufta e ftohtë” Konte-Sarri, trajneri i Interit s’ia përton kolegut

Interi në krye të Serisë A, me pikë të plota. Juventusi ndalet nga Fiorentina dhe fillon direkt “lufta e ftohtë” mes dy kampeve rivale. Thumbin e parë e ka hedhur trajneri i zikaltërve, Antonio Konte, i cili i ka dërguar një mesazh të qartë Mauricio Sarrit.

Antonio Konte është nervozuar mbrëmjen e së shtunës në konferencë shtypi, kur është pyetur për ankesat e Sarrit, pas barazimit 0-0 të Juventusit me Fiorentinën. Menjëherë trajneri i Interit ka sulmuar kolegun me disa fjalë të hidhura. “Nuk dua të them asgjë, sepse pastaj duhet të nxjerrim bilancet dhe të tregojmë trashëgimitë. Mendoj se dikush duhet të rrijë i qetë, sepse tani është në krahun e të fortëve”, - ka theksuar Konte, duke i dhënë mesazhin Sarrit se nuk duhet të gjejë asnjë justifikim, kur skuadra e tij nuk fiton. Barazimin me Fiorentinën trajneri i Juventusit e lidhi me faktin se ishte shumë nxehtë në kohën kur u luajt ndeshja. Një pretekst që Kontes nuk i ka pëlqyer aspak.

Antonio Konte, trajneri i Interit. Gazeta Si, 15 shtator 2019

Interi udhëheq Serinë A, me 3 fitore në 3 ndeshje. Ndeshjen me Udinezen e zgjidhi një gol i Sensit, i cili po përjeton një moment të magjishëm me fanellën zikaltër. Ishte ai që bëri të festonin rreth 60 mijë spektatorët e pranishëm në stadium. Të martën fillon Liga e Kampionëve dhe Interi ndeshet me Sllavian e Pragës. “Në çdo ndeshje duhet luftuar fort, e kuptuam shumë mirë ndaj Udinezes. Kemi tre fitore, por nuk duhet të ekzaltohemi. Sezoni ka nisur mirë për Interin, megjithatë kemi djersitur shumë për këto pikë. Rruga është shumë e gjatë dhe duhet të përmirësohemi për të ëndërruar titullin, tani duhet të rikuperojmë energjitë për Championsin dhe për derbin”, - ka shtuar Konte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë