Politike

Fillon “arnimi” i 5 qershorit, Gjonaj kërkesë Kuvendit për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor

Ende pa u tharë boja e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor të kaluar (në fund të muajit Korrik) me konsensusin e PS dhe opozitës jashtëparlamentare si pasojë e marrëveshjes së 5 qershorit, qeveria, përmes Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka kërkuar ndryshimin e njërit prej neneve (149)  konkretisht dy paragrafëve ku njëri prej tyre lidhet me parashikimin e kufizimeve të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, që sipas kësaj ministrie, pengon procesin për ngritjen e Gjykatës së Lartë.  

Ministria e Drejtësisë vlerëson se parashikimi ligjor që gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor  nuk mund të lëvizet nga detyra në mënyrë të përkohshme apo të përhershme përmes ngritjes në detyrë, gjendet në papajtueshmëri me Kushtetutën.

Paralelisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor është duke përmbyllur procedurat për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.

Dhe, një pjesë e kandidatëve që kanë paraqitur kërkesën për t’u ngritur në detyrë në këtë gjykatë janë zgjedhur, nëpërmjet shortit, si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor.

Por me parashikimet e reja në Kodin Zgjedhor (neni 149) , këtyre gjyqtarëve i ndalohet vijimi i procedurave për ngritjen në detyrë edhe në këtë gjykatë

Nga ana tjetër, për Këshillin e Lartë Gjyqësor krijohen vështirësi për përzgjedhjen e kandidatëve në Gjykatën e Lartë për shkak të uljes së numrit të kandidatëve që mund të aplikojnë për ngritjen në detyrë.

Për këto arsye, Ministria e Drejtësisë sugjeron që dispozita që ndalon ngritjen në detyrë të anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor, duhet të shfuqizohet.

Gjithashtu, nëpërmjet ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor ndalohet hetimi apo procedimi disiplinor i gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, pavarësisht faktit që gjyqtarët mund të kenë kryer shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, për të cilat neni 140 i Kushtetutës parashikon marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra.

Garantimi i imunitetit të gjyqtarëve anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nga procedimi disiplinor për periudhën që ato shërbejnë si anëtarë të këtij Kolegji, i vendos këta gjyqtarë në një pozitë të privilegjuar në raport me gjyqtarët e tjerë të sistemit gjyqësor.

Sidoqoftë, sipas Ministrisë së Drejtësisë, instrumentet që duhet të garantojnë këtë lloj mbrojtje duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën.

Nisur nga nevoja e garantimit të një mbrojtje të posaçme për gjyqtarët e këtij Kolegji, për të garantuar një vendimmarrje e pavarur dhe e paanshme, sipas ministrisë, mund të parashikohet përjashtimisht, një kufizim proporcional dhe i përkohshëm i së drejtës për të hetuar ose për të filluar procedimin disiplinor të këtyre gjyqtarëve për shkaqe që lidhen vetëm me ushtrimin e funksionit si anëtar të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë