Ekonomi

Filli i ortekut të dëmit nga greva e kontrollorëve

Greva e kontrollorëve në Rinas e cila shkaktoi pezullimin e fluturimeve, ka nxitur kolaps mes udhëtarëve dhe agjencive turistike dhe një dëm financiar në formë orteku.

Biletat e shumë qytetarëve mbeten pezull dhe kjo gjë ndikoi negativisht si në financat e tyre personale të cilët u detyruan të shpenzojnë edhe kosto shtesë , ashtu edhe në dëmin e vetë agjencive.

Gazeta Si.al kontaktoi me disa prej tyre për një panoramë të përgjithshme dhe për të kuptuar më qartë zinxhirin e kësaj situate.

LEXO EDHE:
Kaos dhe dyndje udhëtarësh në Rinas në pritje për të fluturuar (Foto-Video)

“Matias Travel” është një nga kompanitë me numrin më të lartë të qytetarëve të cilët nuk kanë mundur të udhëtojnë për shkak të pezullimit të fluturimeve.

“A do të na ktheni lekët mbrapsht?”, është pyetja më e shpeshtë që i kanë drejtuar qytetarët kësaj agjencie sipas Arjan Manes, drejtuesit të saj.

“Ky është një zinxhir i cili përbëhet nga disa hallka. Qytetarët na kërkojnë dëmshpërblim ne, ne ua kërkojmë kompanive ajrore dhe kompanitë ajrore i drejtohen TIA-s, kështu shkaktohet kolapsi sepse të gjithë presim nga njëri-tjetri.

Dëmi më i madh ekonomik na bëhet nga biletat tranzit pasi janë shumë të shtrenjta. Këtu nënkuptoj udhëtimet me ndalesa, siç është rasti i ndalimit në Stamboll për të arritur në Amerikë.

Ajo që është më shqetësuese është fakti që kompania ajrore na dëmshpërblen vetëm udhëtimin Shqipëri-Stamboll dhe jo atë Stamboll-Amerikë.

Kjo na bën të mendojmë që dëmi financiar do të jetë shumë i lartë por bilanci do të bëhet ditët në vijim", u shpreh ai për Gazetën "Si".

Ai thekson gjithashtu që një faktor tjetër i cili do të ndikojë në dëmin e tyre ekonomik është fakti se klientët e tyre nuk paguajnë vetëm për bileta por edhe për oferta dhe paketa të ndryshme turistike në shtetet pritëse.

“Kjo ka shkaktuar mosmarrëveshje që ditën e djeshme me klientët pasi në komunikimin tonë me hotelet, ata nuk bëjnë kthim të fondeve brenda 24 orëve.

Ata nuk e shikojnë këtë si një fatkeqësi natyrore por thjesht si një shtyrje të vonesës dhe nuk marrin përsipër që ta zgjidhin.

Hoteleritë nuk do të paguajnë për institucionin tonë përkatës dhe i ftojnë klientët të shfrytëzojnë ditët e tjera të mbetura nga paketa”, u shpreh ai.

Një tjetër agjenci, ajo e njohur si “Arjani Travel” theksoi gjithashtu të njëjtin problem i cili vijon zinxhir.

“Aktualisht, qytetarët nuk kanë kërkuar dëmshpërblime sepse janë shpresëplotë që e gjithë kjo do të zgjidhet shumë shpejt, por në komunikim me ta, nëse kjo do të vijojë më tej, sigurisht që do të kërkojnë dëmshpërblim.”-u shpreh pikërisht Arjani, pronari i kësaj agjencie.

Ai i mëshoi faktit që dhe vetë agjencitë, ashtu si qytetarët u gjendën tërësisht të palajmëruar dhe të papërgatitur në një situatë të tillë.

“E kuptojmë dhe shqetësimin e qytetarëve por edhe ne u gjendëm shumë  në befasi. Nuk ishim lajmëruar përpara dhe tani nuk e dimë ende se si do të vijojë më tej.

Nëse problemi do të jetë në ecuri do detyrohemi që t’u adresohemi menjëherë për dëmshpërblim kompanive ajrore. Secilit, në fund të ditës i intereson dëmi i tij ekonomik", e mbylli fjalinë i shqetësuar për Gazetën "Si" ai.

Sipas faqes zyrtare të TIA-s, deri tani janë anuluar 7 udhëtime ndërkohë që kanë qenë të parashikuar 18 të tillë.

Qytetarët dhe agjencitë janë prekur në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe janë përfshirë në këtë situatë e cila vijon hallkë pas hallke.

Dëmi i tyre financiar do të llogaritet disa ditë më tej në varësi të situatës.

Ajo që shihet në horizont deri tani është fakti që ky dëm nuk do të jetë i ulët megjithëse të premten, siç thanë autoritetet shtetërore, do të vjojnë sërish fluturimet me orar të plotë, pasi kontrollorët grevistë shqiptarë janë zëvendësuar me ata turq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë