Futboll

FIFA shpall Leo Mesin mbret, për inat të Kristiano Ronaldos

Lionel Mesi ka fituar çmimin e futbollistit më të mirë të vitit 2019 nga FIFA, edhe pse këtë vit ka fituar vetëm titullin e La Ligas në Spanjë. Argjentinasi ka mundur holandezin Virxhil van Dijk, i cili udhëhoqi Liverpulin në fitimin e Championsit dhe ishte afër titullit kampion në Angli, si dhe Kristiano Ronaldon. Portugezi nuk ishte prezent në ceremoninë e zhvilluar në “Scala” të Milanos. Një mungesë që nuk i ka pëlqyer FIFA-s, që e injoroi, duke mos ia përmendur emrin në 11-shen më të mirë të vitit, ku portugezi bënte pjesë.

"Corriere della Sera" në Itali ka zbuluar sot një prapaskenë: Fituesi duhej të ishte holandezi Van Dijk, fitues i Championsit, por pas mungesës së lojtarit të Juventusit, FIFA ia akordoi çmimin Lionel Mesit, për inat të Kristiano Ronaldos, pasi dihet rivaliteti mes të dyve. Kuptohet qartë tashmë se mes FIFA-s dhe portugezit ka një luftë të hapur. Kristiano Ronaldo postoi një foto në rrjetet sociale, ku ai shfaqej duke u relaksuar në shtëpinë e tij në Torino. Një foto e shoqëruar nga një frazë e koduar. “Durimi dhe këmbëngulja janë dy karakteristika që e dallojnë profesionistin nga diletanti. Gjithçka që është e madhe sot, ka nisur e vogël. Nuk mund të bësh gjithçka, por bëj gjithçka që mundesh për të realizuar ëndrrat e tua. Dhe mbaj gjithmonë në mendje se pas natës vjen agimi…”

https://www.instagram.com/p/B2xFV0PAF6a/?utm_source=ig_web_copy_link
Postimi i Kristiano Ronaldos, ndërkohë që Mesi fitonte çmimin në Milano. Gazeta Si, 24 shtator 2019

Para se të jepte çmimin e futbollistit të vitit, presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, fitoi duartrokitjet e të pranishmëve teksa dënoi vërshëllimat raciste të tifozëve të Atalantës ndaj Dalbert të Fiorentinës. Pastaj, në mënyrë surprizë, duke parë rezultatet e sezonit të fundit, kurorëzoi Leo Mesin si mbretin e 2019-ës. Ishte e sigurt ndërkohë fitorja e Megan Rapinoe si futbollistja e vitit. Ajo është kapitene e Amerikës, që fitoi titullin kampion bote. Në formacionin e vitit bëjnë pjesë Alison (Liverpul), Ramos (Real), De Ligt (Juventus), Van Dijk (Liverpul), Marselo (Real), Modriç (Real), De Jong (Barcelona), Mbape (PSG), Mesi (Barcelona), Hazard (Real), Kristiano Ronaldo (Juventus). Siç mund të parashikohej lehtë, trajneri më i mirë u shpall Jurgen Klop. “Një nder i madh, - ka thënë trajneri gjerman. – Ishte një punë e madhe e gjithë skuadrës dhe nuk e kuptoj pse ky vlerësim i jepet vetëm një individi”.


Jurgen Klop, trajneri më i mirë i vitit. Gazeta Si, 24 shtator 2019

I vetmi që mungoi ishte portugezi Ronaldo, të cilit nuk iu përmend emri në ceremoni. Në skenë ishin vetëm 10 lojtarë. Mes atyre që u vlerësuan me çmim ishte edhe tifoja Silvia Greko, e cila i tregon ndeshjet e Palmeirasit të birit Nikolas që është i verbër. Portierja më e mirë u shpall holandezja Sari van Venendal. Çmimin e golit të vitit e mori hungarezi Daniel Szori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë