Shtohen dyshimet për shpalljen e Lionel Mesit “Lojtari më i mirë i 2019-ës” nga FIFA. Pas aludimeve të shtypit italian se fituesi ishte Van Dijk, por FIFA ia dha çmimin Mesit për inat të Kristiano Ronaldos, i cili mungoi në ceremoninë e Milanos, po dalin në dritë provat e manipulimit të votimit, ku marrin pjesë trajnerë, kapitenë skuadrash dhe gazetarë.
Kapiteni i Nikaraguas, Juan Barrera, betohet se nuk ka shprehur asnjë preferencë, kurse trajneri i Sudanit, Zdravko Logarusiç, ka publikuar një kopje të firmosur me votat e tij. Akuza për FIFA-n edhe ka edhe nga Federata e Egjiptit. “Nuk kam votuar për çmimin “The Best 2019” dhe çdo informacion për votën time është fals”, – shkruan në Tuiter Juan Barrera, kapiteni i Nikaraguas, i cili, sipas dokumentit të FIFA-s, ka votuar Mesin në vend të parë. “Nuk kam votuar kurrë për Mesin. U befasova, kur lexova listën e kapitenëve, ku figuronte edhe emri im. FIFA thotë se më ka dërguar linkun e votimit në adresën time elektronike, por në fakt nuk kam marrë asgjë dhe nuk kam votuar. Si mund të jem në listën e kapitenëve që kanë votuar Mesin, kur nuk kam ushtruar të drejtën e votës?”, – ka shtuar Barrera.
Por nuk përfundon me kaq. Dyshimet më të forta për manipulim vijnë nga trajneri kroat i Sudanit, Zdravko Logarusiç. Dhe jo vetëm me fjalë, por me foto të një kopjeje të firmosur prej tij, ku duket votimi i trajnerit: Salah, Mane, Mbape. FIFA-s i rezulton që trajneri i Sudanit ka votuar për Mesin, Van Dijk dhe Mane. Edhe Federata Egjiptiane e Futbollit i ka dërguar FIFA-s një e-mail, duke i kërkuar shpjegime se ku ka përfunduar votimi i saj, që është zhdukur në mënyrë “misterioze”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.