Kombetarja

FIFA bllokon Nedim Bajramin, rrezikon të mos veshë asnjëherë fanellën kuqezi

Pritej të ishte lojtari kryesor i mesfushës kuqezi, por Nedim Bajrami rrezikon të mos veshë asnjëherë fanellën e përfaqësueses shqiptare. Një lajm i papritur vjen nga Zvicra në lidhje me lojtarin, i cili pak kohë më parë mori pasaportën shqiptare, me shpresën se do të merrte dritën jeshile nga FIFA për të luajtur me kombëtaren kuqezi.

“Blick” raporton së fundmi, se FIFA nuk e ka pranuar kërkesën që Bajrami të luajë me Shqipërinë në të ardhmen. E gjitha lidhet me faktin se 22-vjeçari, ka luajtur në 4 ndeshje me Zvicrën e U-21 dhe rregullorja e thotë se në rast se një lojtar pasi mbush 21 vjeç, luan me një kombëtare 1 ose më shumë ndeshje, qoftë ajo edhe e 21-vjeçarëve, atëherë nuk mund të ndryshojë kombëtaren dhe të luajë me një tjetër. Tashmë pritet një përgjigje për këtë situatë nga FSHF dhe Bajrami, por për momentin duket se neni në fjalë pengon futbollistin të veshë fanellën kuqezi dhe pritet një betejë e mirëfilltë ligjore me FIFA-n për të ndryshuar përfaqësuesen.

Një rast i ngjashëm me Bajramin është ai i Munir El Haddadi, i cili luajti një ndeshje kualifikuese me ekipin A të Spanjës, duke u aktivizuar në minutën e 77' dhe me pas ndërroi kombëtare, duke përfaqësuar Marokun. Më 1 tetor 2020, pas një ndryshimi të rregullores nga FIFA që lejon një lojtar të ndryshojë ekipin e tyre kombëtar me kushtin që të ketë zhvilluar tre ose më pak paraqitje në kualifikime para moshës 21 vjeç, Munir u përpoq të kalonte nga Spanja në Marok dhe u thirr në ekipin e tyre kombëtar. Sidoqoftë, ky kalim u refuzua nga FIFA, me arsyetimin se Munir kishte luajtur për ekipin spanjoll U-21 në shtator 2016, pasi kishte mbushur 21 vjeç. Më 28 janar 2021, FIFA publikoi ndryshimin e rregulloreve për kombëtaret, dhe Munir mori dritën jeshile për të përfaqësuar Marokun, pasi kishte luajtur për Spanjën para se të mbushte 21 vjeç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë