Futboll

Feston Partizani, Braun i jep Superkupën me një tripletë

I takon Partizanit Superkupa e Shqipërisë, trofeu i parë i sezonit 2019-2010, pas fitores 4-2 ndaj Kukësit. Dy përmbysje brenda kësaj ndeshjeje finale, e para nga Kukësi dhe e dyta nga Partizani. Ishte mbrëmja e sulmuesit Brajan Braun, i cili ka meritën kryesore në fitimin e këtij trofeu, që u duk i humbur për të kuqtë. Deri një minutë para fundit ishte Kukësi në epërsi 1-2, por “uragani” Braun ka sjellë festën e Partizanit në stadiumin “Elbasan Arena”. Sulmuesi i kuq shënoi 3 gola në ndeshjen që përfundoi 4-2.

Koha e rregullt u mbyll në barazim, 2-2. Esat Mala kaloi Partizanin në avantazh, por më pas erdhi përmbysja e Kukësit, që barazoi me Maliqin dhe dyfishoi me Mustën. Skuadra e trajnerit Shpëtim Duro po e administronte mjaft mirë ndeshjen, që dukej se po mbyllej me fitoren e saj, por Braun, i futur si zëvendësues nga trajneri Franko Lerda, barazoi shifrat 1 minutë para fundit. Në kohën shtesë ishte po ky futbollist që shënoi edhe 2 gola të tjerë për Partizanin. Ai realizoi golin e 3-të pas një pasimi shumë të bukur të Trashit nga e majta, kurse pak minuta më pas gjuajti saktë brenda zonës së Kukësit, ku mbrojtja kundërshtare ishte inegzistente.

Partizani feston një nga golat e shënuar nga Braun. Gazeta Si, 18 gusht 2019

Kjo ndeshje është ndjekur nga një numër i paktë tifozësh, por duhet thënë se në stadiumin e Elbasanit dominonte ngjyra e kuqe. Trajneri italian, Franko Lerda, ka marrë trofeun e parë shqiptar, ndërsa Duro ka debutuar me humbje në stolin e Kukësit. Të dyja skuadrat kanë bërë shumë ndryshime në organikë në merkaton e verës dhe pritet të jenë pretendentë kryesorë për titullin kampion. Fillimi i mbarë i sezonit mund të jetë një plus psikologjik për Partizanin, që me Lerdën në krye, ka ndryshuar edhe stolin e lojës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë