Futboll

Festë e homazhe, PSG zyrtarizon titullin nën shenjën e Notre-Dame

PSG u zyrtarizua kampione e Francës ditën e diel pa zbritur në fushë, pas barazimit të Lilës pak orë para se të luante ndaj Monakosë. Për herë të 8-të në histori, ekipi parisien u shpall kampion i vendit dhe pas fitores 3-1 në mbrëmje, festa ishte legjitime. Skuadra e sheikut Naser Al Khelaifi priste vetëm matematikën për titullin dhe, pasi kishte shpërdoruar 3 mundësi, të dielën nuk fali.

Ishte një fitore e firmosur nga sulmuesi Kilian Mbape, autori i 3 golave, një fitore në nder të Notre-Dame, që u shfaq në fanellat e lojtarëve të PSG-së. Një mbrëmje magjike në “Parc de Prince”, ku gëzimi dhe trishtimi u bashkuan për disa orë. Parisi po përgatitej për festën e titullit, pasi u mor vesh rezultati i ndeshjes së Lilës, por ishte e pamundur vetëm të festohej, duke ditur atë që kishte ndodhur ditë më parë me katedralen e Notre-Dame. Një situatë e pazakontë: titulli i tetë në histori për t’u festuar dhe një plagë që nuk harrohet lehtë. Të gjithë futbollistët zbritën në fushë me fanellat me mbishkrimin “Notre-Dame” në shpinë, ndërsa imazhi i katedrales shfaqej në gjoksin e tyre dhe në koreografinë e tifozëve. Klubi kishte përgatitur 1000 fanella të tilla, që do të shiten me 100 euro dhe të ardhurat do të shkojnë për zjarrfikësit.

Fanellat e PSG-së për nder të Notre-Dame

Protagonist absolut ishte simboli i futbollit francez në këtë moment, Kilian Mbape, autor i 3 golave të fitores të PSG-së, që e siguroi titullin 5 javë para fundit të kampionatit me 84 pikë. Pas ndeshjes shpërtheu festa e lojtarëve dhe stafit teknik, bashkë me tifozët. Brazilianët ishin më aktivët në dhomat e zhveshjes, veçanërisht Dani Alvesh, gjithmonë origjinal me mënyrat e veta. Ai provoi të bënte not në shampanjën e derdhur në dhomën e zhveshjes së lojtarëve. Titulli nuk diskutohet dhe objektivi i sezonit të ardhshëm për skuadrën e trajnerit Tuhel mbetet Champions League.

https://www.instagram.com/p/BwiTwf8nI0g/?utm_source=ig_web_copy_link

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë