Kombetarja

Festa e kuqezinjve irriton kosovarët, ofendime për Bushin (Video)

Ndeshja e së martës mes 21-vjeçarëve të Shqipërisë dhe Kosovës, e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, nuk ishte aspak një vëllazërore, siç shumë tifozë kishin menduar. Shqipëria fitoi 2-1 dhe e festoi me shumë entuziazëm suksesin e parë në Grupin 3, gjë që ka lënë një shije të hidhur në Kosovë. Edhe në fushë nuk kishte miqësi, përtej deklaratave të futbollistëve të dy skuadrave para ndeshjes.

Në rrjetet sociale ka shpërthyer pakënaqësia e kosovarëve pas postimit të videos së festës së kuqezinjve të vegjël. Shumë e kanë konsideruar pa sens dhe pa vend këtë festë, sepse ishte një ndeshje mes vëllezërish dhe jo një “betejë”. Ka pasur edhe nga ata që kanë kaluar në fyerje dhe ofendime, siç është rasti i futbollistit të Ferizajt, Taulant Dajakut, i cili e ka quajtur trajnerin e Shqipërisë U-21, Alban Bushi, një “bir ku*** me kollare”. Ndoshta kjo ndeshje ishte paragjykuar. Të shumtë ishin ata që mendonin se Shqipëria do t’i hapte rrugë Kosovës, meqenëse kjo e fundit ka më shumë shanse për kualifikim në Grupin 3, ku edhe pas humbjes në Elbasan qëndron para kuqezinjve dhe me një ndeshje më pak.

https://www.facebook.com/FederataShqiptareeFutbollit/videos/400465410604024/?t=6
Festa e kuqezinjve pas fitores me Kosovën. Gazeta Si, 16 tetor 2019

Ajo që duhet pranuar ka të bëjë me faktin se tashmë ka një dualizëm në distancë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ka edhe pak xhelozi. Edhe shqiptarëve nuk u ka pëlqyer aspak festa “e çmendur” e kosovarëve pas fitores në një miqësore me Shqipërinë pak vite më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë