Futboll

Feronikeli dhe Shkëndija largohen kokulur nga Europa League

Është mbyllur shpejt aventura europiane në Europa League për dy ekipet shqiptare, Feronikeli dhe Shkëndija. Kampionia e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nuk ia kanë dalë dot me ekipet kundërshtare, Dulanzh dhe Slovan Bratislava.

Për Shkëndinë e Tetovës, që të paktën në letër kishte pasur shanset më të mëdha për të avancuar në raundin tjetër, ndeshja në Luksemburg me Dulanzh ishte për tu harruar. Një barazim 1-1 nuk i mjaftoi tetovarëve për të avancuar më tej, për më tepër që në fundin e ndeshjes e humbën durimin, duke u ndëshkuar tre herë me karton të kuq. Shkëndija nuk mundi të kalojë asnjë raund këtë vit në Europë, pasi më herët ishte eliminuar nga Liga e Kampionëve që në raundin fillestar.

Lojtaret e Shkendise pershendesin tifozet

Akoma dhe më keq ka shkuar edhe paraqitja e kampiones së Kosovës, Feronikeli në sfidën me sllovakët e Slovan Bratislava. Pas humbjes minimale në ndeshjen e parë 1-0, ekipi kosovar është mposhtur akoma dhe më thellë në Prishtinë, 2-0, duke shuar çdo shpresë për të kaluar raundin.

Kështu mbyllet në mënyrën më të keqe aventura europiane për këto dy ekipe shqiptare për këtë sezon. Tashmë shpresat e vetme për të bërë diçka janë te Partizani, por që edhe ky i fundit nuk mund të pretendojë shumë pas humbjes 2-0 në ndeshjen e parë në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë