Futboll

Feronikeli bën historinë, për herë të parë në eliminatoret e Champions

Ashtu siç pritej, Feronikeli e ka bërë historinë e futbollit kosovar. Skuadra nga Drencia ka fituar mbrëmjen e së premtes në stadiumin “Fadil Vokrri”, 2-1 përballë Santa Koloma, duke shkuar për herë të parë në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve. Në dy herët e para, Drita dhe Prishtina kishin dështuar që të shkonin kaq larg, por Feronikeli besoi deri në fund dhe ia doli që të bëjë realitet ëndrrën e madhe europiane.

Nuk ishte aspak e lehtë ndeshja në Prishtinë për ekipin e Feronikelit që ishte në diasvantazh në fillimin e pjesës së dytë. Pas një pjese të parë të mbyllur në barazim, fraksioni i dytë do të ishte vendimtari për këtë përballje. Kartoni i kuq i Hoxhës në fillimin e pjesës së dytë i komplikoi jo pak gjerat për kosovarët. Pastaj edhe goli i andorianëve dhe u duk sikur kaq ishte aventura europiane e Feronikelit për këtë sezon. Por skuadra e Bylbyl Sokolit nuk u dorëzua për asnjë sekondë dhe vijoji të kishte shpresë se mund t’ia dalë në këtë ndeshje.

Shumë shpejt erdhi goli i barazimit në minutën e 52’, vetëm tre minuta pasi kishte pësuar golin, nga Zeka. Me këtë barazim u rrit shpresa e drenicakëve se mund t’ia dilnin. Në vazhdim ishin një sërë aksionesh të Feronikelit dhe në minutën e 87 erdhi goli që shpërtheu në festë gjithë stadiumin. Tashmë kampionia e Kosovës është në fazën e parë eliminatore te Ligës së Kampionëve dhe do të mund përballet me Kopenhagenin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë