Politike

Fermerët protestojnë para Kuvendit, Rama i fton në sallë: Hajdeni të flasim, nuk flitet këtu në rrugë

Rruga e Kryeministrit Edi Rama për në sallën e seancave plenare të Kuvendit, ku diskutohet paketa fiskale dhe buxheti për vitin e ardhshëm “u ndërpre” nga protesta e një grupi fermerësh që kundërshtojnë ndryshimin e skemës së subvencionimit të TVSh-së.

Kryeministri e ndali rrugën dhe iu drejtua fermerëve protestues për të biseduar.

“Hajde se s’ka problem! Kush do vijë tjetër me mua të flasim brenda se këtu në rrugë nuk flitet. Kush do vijë tjetër, hajde mo…”, iu tha Rama fermerëve.

Protestës së fermerëve iu bashkuan edhe disa deputetë të Partisë Demokratike, mes të cilëve Saimir Korreshi i Divjakës dhe Dashnor Sula i Peqinit. Ata mbështetën kërkesat e tyre si legjitime dhe i bënë thirrje qeverisë që t’i reflektojë ato në buxhetin dhe paketën fiskale për vitin e ardhshëm.

Fermerët protestojnë ndaj qeverisë pas ndryshimeve fiskale, që parashikon edhe heqjen e subvencionimit me 6 për qind të TVSH-së. Ata kërkojnë subvencionim direkt i fermerit me 10 lekë për litër të qumështit, barazim i TVSH në shitje dhe blerje, pezullim i TVSH për plehrat kimike, inputet bujqësore, subvencionim 3 lekë për eksportuesit, garanci për faturat nga grumbulluesit etj.

Ndërkohë, gjatë fjalës në Kuvend, ministrja e Financave tha se nga takimi që Kryeministri Edi Rama ka pasur me përfaqësinë e fermerëve u mësua se subvencionimi me 6 për qind i TVSh-së nuk ka përfunduar në xhepat e fermerëve.

Nga opozita, Jorida Tabaku e cilësoi takimin e Ramës me fermerët si “shfrytëzimin e radhës të tyre për propagandë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë