Ushqim

Fermerët italianë po shpëtojnë frutat me energji diellore

Qitro e Kalabrisë në Italinë jugore pothuajse ishte zhdukur nga moti ekstrem por fermerët kanë arritur ta shpëtojnë duke e mbjellë atë në një serë me panele diellore, duke u kthyer në një mësim për shumë fruta dhe perime që po humbin vlerat për shkak të klimës.

Antonio Lancellotta, një fermer 35-vjeçar, ka vendosur sera në një hapësirë prej  1,8 hektarësh, tokë e familjes së tij në Scalea, në Italinë jugore.

Pemët duken në të gjithë hapësirën por ajo që vihet re më shumë janë panelet fotovoltaike që mbulojnë gjithë fushën. Familja Lancellotta është një nga të parat në Itali që eksperimentoi me "agrovoltaikët", ku të korrat rriten nën panele diellore.

“Shikoni cilësinë e kësaj qitro”, thotë Lancellotta, duke mbajtur në dorë një frut të madh të verdhë në formë zemre. “E përsosur.”

Gjatë shekujve, falë një klime të butë, vendasit në këtë cep të Italisë u specializuan në rritjen e këtyre frutave të mëdha, të cilat mund të peshojnë deri në 5 kg secila, për të përmbushur kërkesat e prodhuesve të parfumeve që përdorin vajrat esenciale të lëkurës.

Sidoqoftë, në 50 vitet e fundit, qitro pothuajse u zhduk pasi kalabrezët migruan në kërkim të një jete më të mirë dhe markat filluan të përdorin fruta të tjerë për të krijuar vajra esencialë. Nuk kishte më kuptim as nga ana ekonomike për ata që mbetën për të vazhduar të rrisin frutat.

Në vitin 2009, babai i Antonios, Mario, agronom dhe kontabilist, u njoh me agrovoltaikët. Ky koncept ekzistonte që në vitet 1980 dhe agronomi e pa atë si një mundësi investimi emocionuese. Po sikur prodhimi i energjisë të mund të rriste frutat e rrezikuar?

Ideja e tij ishte në përputhje me një trend më të madh. Në të njëjtin vit, Bashkimi Europian lëshoi një direktivë për vendet e tij anëtare për të siguruar që 20% e energjisë së tyre të ishte nga burime të rinovueshme deri në vitin 2020, duke çuar në një garë për ngritjen e fermave diellore. Disa fermerë preferuan t'i shesin ose japin me qira tokën e tyre kompanive të prodhimit të energjisë së rinovueshme për një kohë të gjatë për shkak të të ardhurave më të sigurta. Ndërsa Bashkimi Europian tani ka tejkaluar objektivin prej 20%, në nivel global shifra për energjinë diellore është ende e ulët. Sipas një raporti të vitit 2021 nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, prodhimi i energjisë fotovoltaike përbën vetëm 3.6% të prodhimit global të energjisë elektrike, megjithëse po rritet me shpejtësi.

Sipas Sylvia Kay, studiuese britanike, kërkimi për prodhimin e energjisë së rinovueshme në dekadën e fundit bëri që njerëzit të mendojnë të përdorin tokën për prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Në shumë vende të botës, zhvillimi i projekteve të mëdha diellore në tokën bujqësore i ka lënë mënjanë komunitetet lokale, të cilët shohin pak përfitime nga projekti dhe janë përballur nga papunësia pasi punët lokale bujqësore janë zhdukur.

Vitet e fundit, “tensioni” midis tokës bujqësore dhe asaj diellore është ndjerë në SHBA, Indi dhe Kinë, mes prodhuesve të tjerë diellorë.

“Është një çështje e pëlqimit, konsultimit dhe procedurave të duhura të planifikimit”, thotë Kay.

Megjithatë, sot, nevoja për energji të rinovueshme për të frenuar efektet e ndryshimeve klimatike po rritet në BE dhe në mbarë botën. Vende të tilla si Japonia, Franca, Gjermania, SHBA dhe Italia po kërkojnë mënyra për të mbajtur tokat e tyre të kultivueshme dhe për të përmbushur kërkesën për energji me energji dielli.

Lancelotta është i sigurt se agrovoltaikët janë zgjidhja e duhur. Megjithatë, për shkak të risisë, kostove më të larta të instalimit, rezistencës së disa fermerëve ndaj ndryshimeve dhe mungesës së legjislacionit të qartë, ka një rrugë të gjatë për të bërë përpara se agrovoltaikët të ‘miratohen’ përfundimisht.

Prodhimi i energjisë së rinovueshme në 100 hektarë tokë bujqësore agrovoltaike rreth Italisë, jo vetëm që i jep Lancelotta-s të ardhura alternative për bujqësinë duke gjeneruar mjaftueshëm energji elektrike të pastër për 16,000 familje, por gjithashtu përmirëson frutat. Sipas sipërmarrësit, panelet diellore kanë ulur me 70% nevojën e frutave për ujë dhe ato janë tashmë më të mëdhenj, me ngjyrë më të bukur dhe kanë një përqendrim më të lartë të vajrave esencialë në lëkurën e tyre.

Lancellotta thotë se panelet gjithashtu mbrojnë bimët nga ngjarjet ekstreme klimatike.

Në vitin 2017, pasi një ngricë e pazakontë dimërore dëmtoi shumicën e pemëve të rajonit, pemët e Lancellottas mbijetuan sepse panelet i mbronin ato. Ata shpërndanë shartime të pemëve të tyre për kultivuesit që humbën bimët e tyre, duke ndihmuar në mbrojtjen e traditës së lashtë bujqësore të rajonit.

Mund të kushtojë rreth 1.1 milion dollarë për 2,5 hektarë tokë në Itali për të ndërtuar një fermë agrovoltaike, sipas Lancellotta, i cili thotë se investimi fillestar është i konsiderueshëm por janë shpenzime që kthehen për 6-7 vite.

Sipas Lancellotta, sot pak fermerë mund të kenë akses në atë lloj kapitali. Një opsion është të bashkëpunojnë me prodhuesit e energjisë. Në projektin e tij, Lancellotta bashkëpunoi me EF Solare Italia, pronari më i madh i impianteve diellore në Itali.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë