Futboll

Fenomeni i së ardhmes, Zhoao Feliks po çmend gjithë Europën

Milani dhe Juventusi janë vetëm dy nga klubet e njohur që janë futur në “betejën” për të marrë Zhoao Feliks. Xhevahiri i Benfikës, 19 vjeç, po i çmend të gjithë dhe për të ka një interes që në Portugali nuk ishte parë që nga koha e Kristiano Ronaldos. Klubi portugez ka bërë me dije se ka refuzuar që tani një ofertë zyrtare nga anglezët e Uest Hemit, ofertë që kapte shifrën e 60 milionë eurove. Por në Lisbonë ka çdo fundjavë skautë dhe vëzhgues nga klube të ndryshme. Përveç dy skuadrave italiane, në garë për Feliks janë edhe Atletiko Madrid, Monako, PSG, Reali dhe Bajerni.

Por sa vlen ky lojtar i ri? Benfika e ka bërë të qartë: kush do që ta marrë talentin e saj, duhet të bëjë gati 120 milionë euro për klauzolën e tij. Një shifër që pritet të rritet shumë shpejt, pas zgjatjes së mundshme të kontratës me Benfikën. Kohët e fundit Real Madridi po këmbëngul për këtë futbollist më shumë. Po e ndjek me kujdes që prej gjysmëfinales së Youth League të sezonit 2016-2017, kur ai ishte protagonist në fitoren e Benfikës pikërisht ndaj Realit.

Zhoao Feliks, duke kryer një veprim të bukur teknik

Zhoao Feliks ka lindur në Viseu, më 10 nëntor 1999. Ai luan në rolin e trekuartistit, por mund të bëjë edhe sulmuesin anësor. E ka nisur karierën me një skuadër që quhet Os Pestinhas, më pas te Porto, që e la të ikte te Padroense dhe në fund te Benfika, ku ra në sy me lojën e tij. Tani flasin të gjithë për të. Të dielën ishte ndër më të mirët në derbin me Sportingun, që u fitua nga Benfika 4-2. Me këtë ndeshje, Zhoao Feliks kaloi 1000 minutat në futbollin elitar portugez.

Me 8 gola dhe 3 asiste, impakti i tij është superior ndaj atij të Kristiano Ronaldos, kur debutoi me Sportingun. Në 1000 minutat e para, CR7 kishte shënuar 3 gola dhe kishte dhënë 1 asist. Duke mbetur te statistikat e 1000 minutave të para si profesionist, Feliks kalon edhe Nejmarin (4 gola, 4 asiste) dhe Mbapenë (4 gola, 4 asiste). Të vetmin lojtar të madh që portugezi nuk arrin ta kalojë është Lionel Mesi, i cili në 1000 minutat e para me Barcelonën kapte shifrat e 13 golve dhe 8 asisteve. Zhoao Feliks shpreson të shkruajë historinë si argjentinasi, dëshiron të luajë për Realin, por mund të ndjekë edhe gjurmët e Rui Kostës te Milani. “Beteja” për të është e hapur…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë