Shendet

Fëmijët po i përdorin cigaret elektronike më shumë se të rriturit, shkak reklamimi enkas për ta

Në nivel global, rreth 37 milionë fëmijë të moshës 13-15 vjeç përdorin duhan dhe në shumë vende, shkalla e përdorimit të cigareve elektronike tek adoleshentët tejkalon atë të të rriturve. Në Rajonin Evropian të OBSH-së, 20% e 15-vjeçarëve të anketuar raportuan se kishin përdorur cigare elektronike në 30 ditët e fundit. Në Shqipëri, 43% e djemve dhe 23% e vajzave 15 vjeç kanë raportuar se konsumojnë cigare elektronike.

OBSH thekson se industria e duhanit dhe nikotinës dizajnon produkte, zbaton fushata marketingu dhe punon për të formuar mjedise të përshtatshme vetëm për të rinjtë.

Pavarësisht progresit të rëndësishëm në reduktimin e përdorimit të duhanit, shfaqja e cigareve elektronike dhe produkteve të tjera të reja të duhanit dhe nikotinës paraqesin një kërcënim të madh për të rinjtë dhe kontrollin e duhanit. Studimet tregojnë se përdorimi i cigareve elektronike rrit përdorimin e cigareve, veçanërisht tek të rinjtë që nuk pinë, me gati tre herë.

"Historia po përsëritet, pasi industria e duhanit po përpiqet t'u shesë të njëjtën nikotinë fëmijëve në ambalazhe të ndryshme," thotë Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së. "Këto industri po synojnë në mënyrë aktive shkollat, fëmijët dhe të rinjtë me produkte të reja që janë në thelb një kurth me shije ëmbëlsirash. Këto industri vazhdojnë të tregtojnë produktet e tyre për të rinjtë me shije joshëse si karamele dhe fruta”.

"Këto industri janë duke projektuar qëllimisht produkte dhe duke përdorur strategji marketingu që tërheqin drejtpërdrejt fëmijët”, thotë Dr Ruediger Krech, Drejtor i Promovimit të Shëndetit të OBSH-së.

Ai thotë se përdorimi i shijeve si karamele, të kombinuara me dizajne të hijshme dhe shumëngjyrëshe që i ngjajnë lodrave, është një përpjekje e hapur për të varur të rinjtë ndaj këtyre produkteve të dëmshme.

“Këto taktika mashtruese nxjerrin në pah nevojën urgjente për rregulla të forta për të mbrojtur të rinjtë nga varësia e dëmshme gjatë gjithë jetës”.

OBSH u kërkon qeverive të mbrojnë të rinjtë nga konsumimi i duhanit, cigareve elektronike dhe produkteve të tjera të nikotinës duke i ndaluar ose rregulluar këto produkte. Rekomandimet e OBSH përfshijnë krijimin e vendeve publike 100% pa duhan, ndalimin e cigareve elektronike me shije, ndalimin e marketingut, reklamimit dhe promovimit, taksat më të larta, rritjen e ndërgjegjësimit publik për taktikat mashtruese të përdorura nga industria dhe mbështetjen e iniciativave arsimore dhe ndërgjegjësuese të udhëhequra nga të rinjtë.

Nëse politikëbërësit nuk veprojnë, shkruan OBSH, brezat e tanishëm dhe të ardhshëm mund të përballen me një valë të re dëmesh, të karakterizuara nga varësia dhe përdorimi i shumë produkteve të duhanit dhe nikotinës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë