Libra

Fatos Kongoli kthehet pranë lexuesve

Suadela Balliu - “Si quhesh?”, pyet shkrimtari i buzëqeshur, me kuqëlimin e rikthyer të faqeve, jo më të zbehta e të tretura pas sëmundjes që mposhti vetëm pak muaj më parë. I është rikthyer jo vetëm shëndeti, por edhe dëshira për të qenë pranë lexuesit, si çdo herë, me nënshkrimin në faqen e parë të librave. Me veprën e plotë të ribotuar, Fatos Kongoli është çdo paradite në stendën e botimeve “Toena” , i rrethuar nga njerëzit që i urojnë shëndet dhe gërmëzojnë emrin, teksa shkrimtari shkruan një përkushtim për secilin.
“Suadela”, i them, ndërsa i zgjas romanin “Bolero në vilën e pleqve”, i vetmi që më mungonte prej veprave të tij,  në bibliotekën personale.


“Ka edhe një gazetare me këtë emër!”, më drejtohet, jo fort i sigurt nëse lexuesja që i kishte zgjatur librin, ishte edhe gazetarja. Fatos Kongolin e kam intervistuar për herë të parë , njëmbëdhjetë vite të shkuar kur sapo pat botuar romanin “Jetë në një kuti shkrepësesh , një triller policesk po aq sa edhe zbërthimi shtresë pas shtrese i psikes së një populli të shtrënguar për të jetuar në “kuti shkrepësesh” siç ishin apartamentet me hapësira të vogla që të merrnin frymën, të arkitekturuara nga regjimi komunist – i cili kishte menduar në fakt për të arkitekturuar censurë në çdo aspekt të jetës, urbanistik e psikologjik –për të ndrydhur çdo liri, që bën në thelb qenien njerëzore.


Prej asaj dite isha lexuese e rregullt e letërsisë së Fatos Kongolit, me stilin e një letërsie giallo apo noir – që të mban mbërthyer deri në faqen e fundit - e me galerinë e pasur të personazheve mbushur inspektorë, gazetarë investigues, hetues apo spiunë, po aq sa edhe mbërthehet esenca e një shoqërie në tranzicion, me ndrydhje të mbartura nga izolimi gjysmëshekullor.
Intervistën e fundit me shkrimtarin e realizova tre vite më parë, në Panairin e 18-të të Librit, me rastin e botimit të romanit të tij të fundit, “Gjemia e mbytur” , një homazh për jetët e humbura gjatë diktaturës dhe një rrugëtim jo vetëm në plagët e së shkuarës, por edhe inkursion i brendshëm.

Do të më thoshte atëherë se Shqipëria është ende peng i së shkuarës ( ishte ndezur atëkohë debati i gjatë sa edhe vetë tranzicioni post-diktaturë mbi hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit gjatë komunizmit. Shumë në fakt e kishin kuptuar metaforën e Kongolit si metaforë e dosjeve.)Në fillim të muajit shkurt të 2018-ës, botuesi i tij, Fatmir Toçi bëri të ditur se shkrimtari prej muajsh gjendej në spital, në gjendje të rëndë, duke iu nënshtruar edhe dy ndërhyrjeve kirurgjikale, të parin në janar dhe të dytin në shkurt, në aparatin tretës, i klasifikuar me diagnozën “Ca – rectum”.

Shkrimtari Fatos Kongoli me botuesen Irena Toçi


Në gusht, në një intervistë me gazetaren Beti Njuma, shkrimtari rrëfente kalvarin me sëmundjen, rikuperimin e mundimshëm pas daljes nga spitali në mes të marsit, duke zbuluar se nëpër mend i ishte sjellë edhe ideja e eutanazisë – vetëvrasjes së asistuar – kur mësoi hollësitë pas operacioni. Atëherë lutej të ikte, sot shkrimtari 74 –vjeçar, është rikthyer në formën e përhershme, sigurisht me një përvojë jetë-ndryshuese mbi supe, ngadhënjimtar mbi sëmundjen dhe i kapur fort pas jetës. Sëmundja nuk e ka lënë të vinte me një roman të ri, por me 15 veprat e tij, në tridhjetë vjet, lexuesi ka se ç’të zgjedhë…


“Cilin libër bleve? Kë më rekomandon prej tij?, më pyet një zonjë e cila duket e përhumbur dhe me vështirësinë për të zgjedhur (nuk mjaftohet me një ) mes librave të Kongolit, në atë pjesë të stendës së “Toena” në Panairin e 21-të të Librit, në Pallatin e Kongreseve, që u çel më 14 nëntor.  “Emrin tënd e kam shënuar në një listë që mbaj me emra vajzash, me idenë për t’i përfshirë si personazhe në librat e mi. Kam dashur të përfshi edhe emrin tënd”, më thotë përzemërsisht, me premtimin e një interviste së shpejti, ku vetë jeta e tij gjatë vitit të fundit i ngjan një romani…
Nëntori e ka kthyer pranë lexuesit dhe tek ritualet e vjetra. Dy kanë qenë vendet e parapëlqyera të tij, kafene “Friend’s Book House” - ku në mjediset e nëndheshme të ngjashme me atë të një biblioteke, më shumë sesa thjesht të një kafene-librarie, u zbulonte hollësi nga libri i radhës, gazetarëve kureshtarë – dhe stenda e botimeve “Toena”, në çdo panair libri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë