Futboll

Fati me shkodranët, Vllaznia eliminon Partizanin me penallti dhe shkon në finale

Gazeta Si - Ndeshja maratonë e “Loro Boriçit”, që zgjati më shumë se 120 minuta, është mbyllur me kualifikimin e Vllaznisë për në finale të Kupës së Shqipërisë. Partizani është eliminuar me penallti në gjysmëfinale dhe tani rrezikon të mbetet jashtë kupave të Europës, pasi edhe në kampionat nuk është në një pozicion komod.

Pas dy barazimesh në dy ndeshjet gjysmëfinale, 0-0 në të parën dhe 1-1 sot në Shkodër, gjithçka u vendos nga pika e bardhë e penalltisë, ku i vetmi që gaboi në 10 penallti ishte sulmuesi i të kuqve, Xhuljano Skuka. Gjuajtja e tij u prit nga portieri Zogoviç.

Nga ndeshja Vllaznia-Partizani, 1-1. Gazeta Si, 13 prill 2022

Koha e rregullt u mbyll me rezultatin 1-1, me gola të Malës pas vetëm 3 minutash, dhe më pas të Aralicës që barazoi shifrat. Në pjesën e dytë skuadrat u treguan shumë të kujdesshme dhe pak rrezikuan, në fund shkodranët pretenduan edhe për një penallti, por gjyqtari vazhdoi lojën.

As 30 minutat shtesë nuk ndryshuan gjë dhe kualifikimi i mbeti ‘ruletës’ së penalltive, ku fati u buzëqeshi shgkodranëve. Ata realizuan me Gurishtën, Hoxhajn, Adilin, Gjurgjeviç dhe Latifin. Tani kanë shansin ta mbrojnë trofeun e fituar një vit më parë në finale me Laçin.

Festa e shkodraneve ne dhomat e zhveshjes pas kualifikimit. Gazeta Si, 13 prill 2022

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë