Ana e errët

Farsa e antikokainës në Bllok. Dyshimet për lidhje me drejtuesit e policisë

Policia e kryeqytetit njoftoi si sukses arrestimin e katër personave në lokalin “de Sharm” në kryeqytet për çështje të shpërndarjes së kokainës, por në fakt sikundër ka ndodhur gjatë këtyre javëve të gjithë të dyshuarit gjejnë kohë të hedhin përtokë provat që mund t’i implikojnë gjyqësisht dhe për rrjedhim ata lirohen nga gjykata.

Ndoshta e njëjta gjë ka për të ndodhur edhe me aksionin më të fundit të koduar “Blloku”, përsa kohë në lokal u kapën të hedhura sa në një kuti shkrepseje dhe sa në plehra vetëm 0.4 gramë kokainë dhe 1.8 gramë kokainë. A është ky rasti për të pyetur, a po dështon policia dhe a ka oficerë policie të implikuar në çështjen e shpërndarjes së drogërave të forta dhe të kokainës, përderisa nga njëra anë kokaina është kthyer në një fenomen, por nga ana tjetër nuk ka asnjë rrjet të mirëfilltë të goditur bindshëm, përveçse ca dozave që gjyqësisht mbyllet me pak javë burg, ose për kamarierët, ose për një shpërndarës që asnjëherë nuk e ka çuar antidrogën tek peshku i madh

Gazeta Si zotëron emrat e plotë të të rinjve dhe të dyshuarve që u kapën në flagrancë, duke konsumuar kokainë, një trend i cili muajt e fundit është kthyer gjërësisht në një fenomen, jo vetëm në kryeqytet, por edhe ne qytetet bregdetare. Pronari i lokalit në ish-Bllok me inicialet O.P i moshës 38 vjeç është njëri nga katër të arrestuarit e operacionit Blloku, por sikundër rezulton nga fashikulli që gazeta Si disponon, atij nuk i është kapur drogë në trup.

38-vjeçari i provoi prangat përsa kohë në lokalin e tij u gjet 1.8 gramë kokainë, të cilët siç tregon një agjent e hodhi përtokë kamarieri me inicialet A.Ll. Gjithashtu në lokal u kapën edhe 9 fishekë special, por as ata nuk do të rëndojnë pozitën e pronarit, por të klientit, i cili dyshohet se i ka flakur sapo ka parë policinë, por që edhe ai u referua në gjendje të lirë.

Megjithatë, policia thotë se në pranga për dyshimet e shpërndarjes së drogës dhe përshtatje të ambienteve për përdorim droge ka rënë edhe administrator i lokalit me inicialet A.A., si edhe kamarieri i turnit A.Ll së bashku me klientin me inicialet E.H. Ky i fundit dyshohet se është personi që hodhi përtokë armën e llojit Magnum. Ndërkohë, policia ka referuar në gjendje të lirë edhe shtetasit me inicialet R.G., R.A., dhe O.F., klientë të lokalit. Secili nga klientet e mësipërm, sipas deklaratave të efektivëve që ndërhynë në lokal ka dyshime se është përpjekur të fshehë diçka dhe konkretisht R.G., dhe R.A., iu bllokuan 0.4 gramë kokainë.

E gjitha kjo tregon se në fakt edhe aksioni i radhës antidrogë është i dështuar, pasi në gjykatë do jetë e vështirë t’i lidhësh të dyshuarit me provat materiale, por nga ana tjetër edhe me pistën se lokali përdorej për shpërndarje kokaine, ashtu sikundër janë dyshimet.

Hetimi

Policia zyrtarisht thotë se aksioni u krye me metodat speciale të hetimit dhe bazuar në një vendim gjykate për kontroll lokali. Pronari i lokalit, tashmë i arrestuar sipas versionit zyrtar, ushtronte aktivitetin e shitjes së kokainës në doza të vogla duke përdorur kamarierët dhe banakierët. Megjithatë, episodi i fundit është mjaft i vështirë për ta vënë me shpatulla për muri. Shpresë ngelen 6 aparatet telefonike, që do të eksportohen dhe do të shikohet me kë komunikonin të dyshuarit.

Por..

Gazeta Si mëson ekskluzivisht se ka dyshime të forta ndaj disa oficerëve të policisë, të cilët në jo pak raste paguhen nga pronarët e lokaleve në Tiranë (pra marrin pagesa mujore nën dorë) për të krijuar lehtësi dhe informuar pronarët e bizneseve të tilla. Lehtësirat që ofrojnë shefat janë të tilla sikundër urdhërimi i patrullave e policore që të shmangin shërbimin para disa lokaleve të caktuara, mos kontrolli i shpeshtë i makinave të të fortëve që parkojnë para këtyre bizneseve dhe mos kontrolli i lokaleve në brendësi, kjo e fundit e ndodhur qëllimisht.

Megjithatë, asnjëherë veprimet e shefave nuk kanë kaluar në sitë për të zbuluar të vërteta kriminale, që ndihmojnë lulzimin e shpërndarjes së drogës dhe ndonjëherë edhe përkrahjen e disa kriminelëve për të cilët politika shpesh denoncon se kanë edhe mbështetje policore. Në fund të fundit, a mund të quhet sukses bllokimi i dy gramëve kokainë, kur policia nuk e ka zgjidhur asnjëherë dyshimin se kush është furnizuesi kryesor i këtyre lokaleve me drogërat e forta?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë