Ana e errët

Tirana e mbytur në hashash, kokainë dhe ekstazi. Kapen vetëm përdoruesit, asnjë drejtues rrjeti

Për shkak se përdorimi i kokainës në lokalet e kryeqytetit është kthyer në një fenomen mjaft shqetësues, antidroga ka nisur kontrollet nëpër bare. Gazeta Si raportoi pak javë më parë për përhapjen e këtij fenomeni, të cilin specialistët nuk e shpjegojnë dot. Nëse më herët kokaina përdorej kryesisht nga personazhe të njohur, tani thuhet nën zë se kokteilet me drogën e fortë janë kthyer në modën e jetës së natës dhe stilit të nëndheshëm të kryeqytetit shqiptar. Por ata që arrestohen janë vetëm konsumues, të cilëve u gjenden me vete doza të papërfillshme. Nuk ka asnjë shpjegim se si është e mundur që policia  nuk po arrin të zbulojnë nëse bëhet fjalë për një rrjet të mirëfilltë të shpërndarjes së kokainës  duke e kthyer në një nga “bizneset e zeza” më fitimprurës, jo vetëm në Tiranë, por edhe në lokale përgjatë vijës bregdetare. Gazetasi.al mëson se në kontrollin e radhës në Tiranë policia ka zbuluar edhe ekstazi, ç’ka ka përforcuar dyshimin se “droga e dashurisë” apo siç e quajnë trafikantët, “pilula”  mund të ketë gjetur treg të mirëfilltë konsumatorësh në kryeqytet.

Foto ilustruese - Gazeta Si, 5 gusht 2019

Kontrolli

Duke zbardhur e diela, rreth orës pesë të mëngjesit antidroga ka mësyrë në një lokal afër xhamisë Xhura në rrugën ‘Belul Hatipi’. Dy nga të arrestuarit mes tyre edhe pronari i lokalit Ylber Gaxherri janë prangosur edhe gjatë verës së kaluar për të njëjtin fakt dhe si pjesë e një rrjeti shpërndarësish heroine dhe kokaine, por më pas ata janë liruar në rrethana të paqarta. Një burim i Gazeta Si tregon se së bashku me Ylber Gaxherrin u prangos edhe Shaqir Shtishi që sërish ka qenë pjesë e të njëjtës dosje hetimore ku policia deklaroi se kishte shkatërruar një grup. Përveç tyre për tre të tjerë materialet iu referuan në gjendje të lirë për akuzën e mos kallëzimit të krimit, pra siç tregon i njëjti burim, nuk kanë njoftuar policinë sapo kanë konstatuar se në lokal konsumohej kokainë. Gëzim Xeba, Redian Mneri dhe Elion Hyka janë të dyshuarit për mos kallëzim krimi. Gjatë ndërhyrjes së beftë policia kapi me kokainë në dorë në sasinë e 0.2 gramëve shtetasin Shaqir Shtishi, që siç e përshkruan njëri nga agjentët, sapo policia ka hyrë në lokal ai e ka flakur dozën përtokë. Por ai dhe pronari i lokalit nuk kanë mundur dot të fshehin pjatën që sipas ekspertizës kishte gjurmë të kokainës.

Foto ilustruese - Gazeta Si, 5 gusht 2019

Ndërkohë Shtiqi ishte në arrest shtëpie dhe kishte dalë në lokal. Ai i tha policisë: “Jam përdorues droge prej shumë vitesh. Hyra në lokal dhe dritat ishin gjysmë të ndezura, nuk dallova nëse po konsumohej droge apo jo. Por kokaina nuk ishte e imja. Nuk e di kush e hodhi përtokë”.

Policia e pyeti pse e kishte thyer arrestin shtëpiak (ka qenë nën masë për shpërndarje kokaine një vit më parë). Shtiqi përgjigjet : “Isha i shqetësuar. Dola për të blerë ujë për fëmijët, ishte vonë. Dyqanet ishin mbyllur. I vetmi qe ishte hapur ishte lokali ku erdhi policia”

Gjatë kontrollit të imtësishëm antidroga ka gjetur edhe një kokërr me ngjyrë blu që ka dyshime të forta se është ekstazi, gjurma  e të cilës u ka krijuar bindje ekspertëve se ekstazi po shpërndahet në kryeqytet. Në këtë pikë burimet e Gazeta Si janë mjaft të rezervuara, derisa të saktësohet se në çfarë mase ky fenomen i ri duhet të jetë apo jo shqetësues, apo bëhet fjalë thjesht për një episod të rastësishëm.

Një vit më parë

Foto ilustruese - Gazeta Si, 5 gusht 2019

Fiks një vit më parë anëtarët e këtij grupi u deklarua me buje se ishin shkatërruar. Gjatë aksionit antidrogë u arrestuan pesë persona për të cilët kishte dyshime se shpërndanin kokainë në zonat e ish bllokut, Oxhakut, Unazës së Re, Brrylit dhe Komunës së Parisit. Por pavarësisht kësaj policia nuk ka rënë ende në gjurmët e furnizuesve dhe të “rubinetit” nga i cili po rrjedh kokaina që ofrohet në një pjesë të madhe të lokaleve të natës.

Hashashi

Ndërkohë duket se policia është “familjarizuar” me shpërndarjen e hashashit, një fenomen për të cilin çdo ditë në kryeqytet arrestohen tre persona. Gazeta Si kreu një vëzhgim duke kërkuar zyrtarisht se sa të rinj janë kapur në kryeqytet apo janë përcjellë për hetime të mëtejshme në organin e akuzës. Rezulton se mesatarisht çdo ditë shoqërohen 10 adoleshente apo të rinj që kapen me sasira të vogla hashashi. Më poshtë janë të dhënat zyrtare të siguruara nga Gazeta Si për dy ditët e para të muajit gusht 2019:

Foto ilustruese - Gazeta Si, 5 gusht 2019

Konkretisht

1.Në datën 1 gusht u kapën në afërsi të rrugës së Kosovarëve në një makinë Shpendi L, iu gjet 1.4 gramë hashash, ndërsa dhe Xhoni H  kishte në trup 1.2 gramë.

2.Në datën 1 gusht digën e liqenit të Farkës u kapën dhe më pas janë referuar për hetime të mëtejshme për shkak të moshës së mitur Ardit F, Erald S, Ledio B, Marsiol D sepse kishin me vete jo vetëm hashash për të konsumuar, por edhe një palë pranga metalike si ato që përdor policia dhe një dorezë grushti.

3. Në datën 1 gusht, u shoqëruan Andruel H, Donald Arqimandriti, Deivi N, pas kontrollit në atletet që kishte veshur Andrueli iu zbuluan doza hashashi.

4. Në datën 1 gusht u shoqëruan Redion C, Lutfi Hysa, Ened Idrizi dhe Alban Alla sepse në makinën Hundai, teksa po qëndronin afër liqenit ju gjet një sasi hashashi për përdorim vetjak.

Më tej në datën 2 gusht situata është kjo:

Foto ilustruese - Gazeta Si, 5 gusht 2019

U referuan materialet në prokurori për të miturin F. Mentor S. u kap në rrugën Murat Toptani me një grirëse hashashi, brenda të cilës kishte mbetje të lëndës narkotike.

U referuan materialet në prokurori për Ardit Kacorrin, u kap me 0.8 gramë hashash.

U arrestua në flagrancë  Destan Guga 1991,  si dhe u referuan materialet për H. Koromanin, Serxho Q, Emirjon S. sepse u kapën në rrugën Teodor Keko me 2.0 gramë hashash.

Arrestohet Zef Kolaj 19 vjeç si dhe përcillen për hetime në gjendje të lirë shtetasit Bledar D dhe Pavlin Gj, sepse gjatë kontrollit në një lokal me muzikë ‘’live”, njërit prej të dyshuarve ju gjetën doza kokaine, ndërsa tjetrit ju gjetën doza hashashi.

U referuan në prokurori Elton Cani sepse pranë kopshtit zoologjik u kap me 1.2 gramë hashash.

U referua në prokurori Patrik Seiti sepse në rrugën "Don Bosko" gjatë kontrollit fizik ju bllokua një dozë hashash.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë