Urdhri i Farmacistëve kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që t’i përfshijë në listën e mjekëve dhe infermierëve, që janë kategoritë me risk të lartë infektimi dhe të vaksinohen si pjesë e grupeve të para.
Përmes një shkrese drejtuar kësaj ministrie, farmacistët akuzojnë shtetin për përçmim dhe diskriminim i bëjnë thirrje ministres Ogerta Manastirliu që të reagojë, pasi edhe ata janë në vijën e parë të rrezikut.
“Është e pashpjegueshme që në një situatë të tillë pandemie farmacistët mos t’i shohesh si kontigjent me risk të lartë karshi infeksionit COVID-19, krahas kolegëve të tjerë punonjës të shëndetësisë mjek e infermierë. Farmacistët ishin e vazhdojnë të mbeten në vijën e parë të përballjes me infeksionin COVID-19”, thuhet në letër.
Urdhri thotë se që nga fillimi i pandemisë e deri më tani, shteti nuk i është gjendur për asnjë moment pranë farmacistëve.
“Farmacisti është shpërfillur në situata normale pune dhe po diskriminohet në situatë pandemie. Të shumtë janë farmacistët e infektuar në frontin e punës, mes tyre pati edhe farmacistë të cilët e humbën betejën me këtë infeksion. Të riskuar ishin edhe janë edhe familjarët e farmacistëve, të cilët jetojnë së bashku me riskun e profesionit të familjarit të tyre, e prap, këto bluza të bardha nuk vlerësohen se i plotësojnë kriteret për t’u vaksinuar krahas kolegëve të tyre mjek”, vijon letra.
Urdhri i Farmacistëve thotë se politikat e vaksinimit po hartohen nga persona që nuk e njohin fushën dhe e mbyll letrën me kërkesën drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë që t’i përfshijë në skemën e vaksinimit.
“I drejtohemi dhe i kërkojmë Ministrisë së Shëndetësisë, si institucioni përgjegjës i shtetit Shqiptar, që ka për detyrë hartimin e politikave në mbrojtje të bluzave të bardha në situata të tilla pandemie, të përfshijë farmacistët në skemën e vaksinimit, njëkohësisht me kolegët e tyre mjek. Qytetarët dhe qeveritë e mbarë botës i vlerësojnë dhe i respektojnë farmacistët si heronj, sepse këta profesionistë e meritojnë”, mbyllet letra drejtuar MSh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.