Kombetarja

Fanellat e ndeshjeve në ankand për bamirësi, nisma sociale e FSHF-së

Gazeta Si – Një nismë interesante sociale ka ndërmarrë së fundi FSHF. Është firmosur një kontratë 4-vjeҫare me kompaninë e njohur ndërkombëtare “Match Worn Shirts”, që bashkëpunon me federatat dhe klubet më të mëdha në botë.

Kjo kompani organizon ankande për shitjen e fanellave të lojtarëve për të siguruar fonde, që shkojnë për shtresat në nevojë dhe personat me aftësi të kufizuara kudo në botë.

Këtë praktikë do të ndjekë edhe FSHF, duke nisur nga ndeshja e së hënës me Poloninë. “Match Worn Shirt” do të ketë në dispozicion fanellat që kuqezinjtë do të veshin në këtë ndeshje. Ato do të jenë të autografuara prej tyre dhe pastaj do të dalin në ankand.

Të ardhurat nga shitja e fanellave do të përdoren për bamirësi dhe kjo nismë e FSHF-së është vërtet për t’u vlerësuar. “Match Worn Shirts” ka marrëveshje të ngjashme edhe me federata të njohura në botë, si ajo e Holandës, Kroacisë, Sllovenisë dhe të tjera.

Po ashtu, kompania në fjalë bashkëpunon në këtë drejtim edhe me klubet më në zë, si PSG, Borusia Dortmund, Real Madrid, Mançester Junajtid, Napoli, Liverpul, Flamengo, Roma, Olimpik Marsejë dhe Çelsi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë