Futboll

Fanella e ‘Dorës së Zotit’ të Maradonës del në ankand, vlen 7 milionë euro

Gazeta Si - Sotheby's do të shesë në ankand fanellën që kishte veshur Diego Armando Maradona në Botërorin e 1986-ës, në fitoren 2-1 ndaj Anglisë, ku argjentinasi shënoi dy gola historikë. Ajo ndeshje njihet për të famshmen "Dora e Zotit” (goli i shënuar me dorë), si dhe për atë që është vlerësuar si goli i shekullit.

Fanella që Maradona mbajti në atë ndeshje mund të shitet në ankand për një vlerë nga 4 deri në 6 milionë stërlina, që do të thotë rreth 7 milionë euro.

Ndeshja Argjentine-Angli e vitit 1986. Maradona shenon me dore. Gazeta Si, 6 prill 2022

Fanella me numrin 10 e Argjentinës, e veshur nga “Pibe de Oro”, bën pjesë në koleksionin e Steve Hodge, ish-mesfushor i Anglisë, që në atë ndeshje arriti të shkëmbente fanellën e tij me atë të Maradonës. "Kam qenë pronari krenar i këtij xhevahiri për më shumë se 35 vjet, ishte privilegj që luajta kundër njërit prej futbollistëve më të mëdhenj dhe më të mrekullueshëm të të gjitha kohërave", - ka thënë Hodge.

Rekordi për një fanellë të shitur në ankand është regjistruar në qershor të vitit 2019. Fanella e Babe Ruth, që i takonte periudhës 1928-30, u shit për 5.64 milionë dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë