Politike

‘Falënderoj SHBA dhe BE’/ Deklarata e Bashës për negociatat me PS dhe reagimi mohues i ndërkombëtarëve

Një deklaratë e një ditë më parë e kryetarit të PD-së zyrtare, Lulzim Basha, se kishte filluar puna për komisionin e reformës zgjedhore falë ndihmës që kishte dhënë Ambasada amerikane, ajo e BE-së dhe e Britanisë së Madhe ka sjellë ndarjen e ‘shapit nga sheqeri’ të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë lidhur me rolin që ata po luajnë në këtë drejtim.

Fillimisht si në deklaratën e BE-së dhe më pas të Ambasadës amerikane kuptohet qartë se ata njohin organet zyrtare të Kuvendit që do të thotë se njohin si bashkëkryetar për reformën Alibeajn sa kohe që ky i fundit figuron si numri dy i PD-së zyrtare me letra.

Së dyti: Ndërkombëtarët kanë theksuar qartë se ata nuk ndërhyjnë të zgjedhin se cili aktor duhet për reformën zgjedhore, duke i konsideruar takimet si pjesë e një pune rutine që ata ndjekin dhe jo vetëm për komisionin për reformën zgjedhore.  Si për SHBA ashtu edhe BE rëndësi ka përfshirja sa më e gjerë, pavarësisht formes apo rëndësisë se pozicionit në komision      

A2 CNN pyeti zyrën e shtypit të Ambasadës Amerikane mbi mundësinë e ndërmjetësimit të selisë diplomatike në tejkalimin e krizës në komisionin e posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore.

Në përgjigje për A2 CNN, thuhet se zyrtarët e Ambasadës do të vijojnë të takohen rregullisht me kryetarët, bashkëkryetarët dhe anëtarët e komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshirë Komisionin Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke nënvizuar se takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi.

“Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim”, nënvizon zyra e shtypit e Ambasadës Amerikane për A2 CNN.

Edhe delegacioni i BE-së në Tiranë ka reaguar në lidhje me deklaratën e Lulzim Bashës se ndërkombëtarët kanë ndërhyrë në çështjet e Reformës Zgjedhore. SHBA 'mirepret idetë e të gjitha partive', ndërsa BE nënvizon se duhet një dialog politik gjithëpërfshirës

Për mediat, delegacioni i BE-së në Tiranë thekson se nuk janë përfshirë në asnjë ndërmjetësim dhe kanë theksuar nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR.

"Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve", u tha nga delegacioni i BE-së.

"...Nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe kontruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar. Kjo është në interesin kombëtar dhe gjithashtu vendimtare për besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe investimeve të huaja, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët.”, thuhet në reagimin e ambasadës britanike

Një ditë më parë, Lulzim Basha tha për mediat: “Partia Demokratike si udhëheqëse e këtij procesi në kuptimin thelbësor të fjalës ia ka dalë që të bind palën tjetër për të nisur punën për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore. Detajet besoj do të bëhen shumë shpejt publike, por unë dua të falënderojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian, Britaninë e Madhe që kanë ndihmuar jo thjesht opozitën, Partinë Demokratike në këtë drejtim, por edhe një interes publik të jashtëzakonshëm që është shkatërrimi i skenarëve për të zvarritur edhe një herë procesin e Reformës Zgjedhore”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë