Ekonomi

Eurostat: Shqiptarët, populli më i rrezikuar në Europë për nga varfëria

Shqipëria renditet si vendi me përqindjen më të lartë të popullsisë në Europë që është e rrezikuar nga varfëria dhe përjashtimi social, sipas Eurostat.

Në publikimin për progresin që vendet e Europës kanë bërë në objektivat globale të zhvillimit të qëndrueshëm, rezultoi se mbi 46 % e popullsisë së Shqipërisë ishte e rriskuar.

Të dhënat janë për vitin 2019 ku dallohet që Shqipëria ka diferencë të madhe krahasuar me vendet e rajonit si Mali i Zi dhe Maqedonia që gjithashtu e kanë popullsinë të rrezikuar nga varfëria në nivele të larta.

Personat në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social, sipas vendeve, 2015 2020

Për të pasqyruar këto dimensione të ndryshme të varfërisë ose përjashtimit social, treguesi i gjerë “Të rrezikuar nga varfëria ose përjashtimi social” mat numrin e njerëzve të prekur të paktën në një nga tre format e mëposhtme të varfërisë ose përjashtimit social:

– Varfëria e të ardhurave;

-Varfëria e rëndë materiale dhe privimi social;

-Intensiteti shumë i ulët i punës

Të dhënat për tre komponentët rrjedhin nga Statistikat e BE-së për të ardhurat dhe kushtet e jetesës (EU-SILC). Për te tre komponentët sëbashku Shqipëria është vlerësuar me gati gjysmën e popullsisë të rrezikuar nga varfëria.

Sipas matjeve të brendshme nga INSTAT, kufiri i rrezikut për të qenë i varfër për një person në vitin 2020 është vlerësuar me 186.242 lekë, në krahasim me 170.785 lekë që ishte në vitin 2019 dhe 160.742 lekë që ishte në vitin 2018.

Në vitin 2020 janë vlerësuar 621.504 individë që jetojnë nën kufirin e rrezikut për të qenë të varfër, kundrejt 659.138 individë të vlerësuar në vitin 2019.

Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social i në vitin 2020 sipas INSTAT ishte 43.4 %, kundrejt 46.2 % vlerësuar në vitin 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë