Ekonomi

Eurostat: 28% e fëmijëve nga familjet e paarsimuara shqiptare rrezikojnë varfërinë kur të rriten

Fëmijët që rriten nga prindër të paarsimuar kanë më shumë gjasa të jetojnë në varfëri kur të jenë në moshë madhore krahasuar me fëmijët e tjerë që rriten nga prindër të arsimuar.

Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria kishte përqindje të lartë të të rinjve nga mosha 25-28 vjeç (28.5%) që rrezikojnë varfërinë për shkak të trashëgimisë së ulët arsimore të prindërve.

Në vitin 2019, shkalla e rrezikut nga varfëria në BE ishte më shumë se dy herë më e lartë për të rriturit (nga 25 deri në 59 vjeç) prindërit e të cilëve kishin një nivel të ulët arsimimi (20.3%) sesa ishte për të rinjtë prindërit e të cilëve arsim të lartë (8.6%).

 I njëjti tregues ishte 12.0% për të rinjtë që kishin prindërit me arsim të mesëm.

Vendet e Ballkanit kanë nivelin më të lartë të varfërisë për shkak të origjinës arsimore.

Rumania u rendit e para në Europë pasi 37.4% e të rinjve të moshës 25-28 vjeç rrezikojnë varfërinë se janë rritur në familje të paarsimuara. Treguesi është i lartë edhe në Malin e Zi me (35 %), Bullgari (33.7%), Serbi (33.6%), Maqedonia e Veriut (30%), Letonia (28.5%).

Përqindja e njerëzve në rrezik të varfërisë që kishin prindër me nivel të ulët arsimor ishte më shumë se 20% në 10 shtete anëtare të BE-së.

Ndërsa normat më të ulëta u vunë re në Çeki (9.3%) Danimarkë (9.4%) si dhe në Holandë dhe Finlandë (të dyja 10.3%).

Norma më e madhe e rrezikut nga varfëria në mesin e njerëzve që kishin prindër me arsim të lartë ishte në Austri (14.8%) dhe Suedi (12.7%), ndërsa normat më të ulëta u regjistruan në Çeki (2.3%) dhe Rumani (3.2%).

Një familje e arsimuar ka më shumë shanse të orientojë fëmijët tek e njëjta rrugë dhe gjithashtu ka më shumë mundësi financiare në dispozicion për të përballuar nevojat e shkollimit. Prandaj gjithnjë e më shumë pabarazitë shoqërore po reflektojnë pabarazitë në arsim.

Në Shqipëri ky kontrast u vu re gjatë pandemisë Covid-19, ku fëmijët nga familjet e varfra humbën mundësinë për të ndjekur mësimin në distancë pasi prindërit e tyre nuk kishin mundësitë financiare t’i pajisnin ata me tableta dhe internet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë