Kombetarja

Europiani i Gjermanisë, FSHF shpjegon si tifozët mund të pajisen me bileta për ndeshjet

Gazeta Si - Të gjithë ata që duan ta ndjekin Kombëtaren shqiptare në Europianin e Gjermanisë verën e ardhshme, duhet të jenë gati për të siguruar biletata nëpërmjet UEFA-s. FSHF ka bërë së fundi një sqarim në lidhje me këtë çështje.

UEFA ka njoftuar se së shpejti do të nisë procesi i shitjes së biletave të ‘Gjermani 2024’ dhe të interesuarit mund t’i sigurojnë ato në faqen zyrtare të saj, UEFA.com, duke përdorur linkun (https://www.uefa.com/euro2024/ticketing/). FSHF sqaron se nuk shet asnjë biletë për tifozët e Kombëtares.

Sipas procedurës, tifozët duhet të krijojnë një llogari në faqen zyrtare të UEFA-s dhe pastaj të aplikojnë për bileta për ndeshjen apo ndeshjet që duan. Regjistrimi bëhet në periudhën 4-12 dhjetor 2023, pasi kuqezinjtë të kenë mësuar kundërshtarët në grup dhe stadiumet ku luhen ndeshjet.

Në momentin e regjistrimit, çdo person duhet të identifikohet si tifoz i Kombëtares shqiptare, duke zgjedhur ndeshjet e Shqipërisë (flamur shqiptar). Me një llogari ju mund të blihen deri në 4 bileta për një ndeshje. Nëse ka më shumë kerkesa se numri i biletave të disponueshme për tifozët shqiptarë, UEFA do të hedhë një short dhe fituesit do të njoftohen me e-mail për të bërë pagesën në 2024-ën.

Më pas merret konfirmimi dhe bileta vjen në format elektronik vetëm në aplikacionin e UEFA-s (UEFA Mobile Tickets), që tifozët duhet ta kenë të instaluar në telefon. UEFA ka sqaruar se biletat nuk do të shpërndahen tani, por muajt në vazhdim.

Më 2 dhjetor Shqipëria do të njohë kundërshtarët e grupit të Euro 2024, pas hedhjes së shortit në Hamburg. Kuqezinjtë janë në vazon e dytë në short.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë