Kombetarja

Europiani i 19-vjeçarëve, trajneri Bogdani zyrtarizon listën

Trajneri i Kombëtares U-19 të futbollit, Erjon Bogdani, ka zyrtarizuar listën me 23 lojtarët e grumbulluar për eliminatoret e Europianit të kësaj moshe. Janë tri ndeshje që, sipas shortit, do të luhen në Shqipëri, konkretisht në stadiumet e Durrësit dhe të Kamzës, ku Shqipëria U-19 do të presë Ukrainën, Sllovakinë dhe Norvegjinë. Këto tri ndeshje do të zhvillohen në harkun kohor të 6 ditëve dhe kuqezinjtë e vegjël duhet të jetë të përgatitur mjaft mirë. Fakti që ndeshjet luhen në Shqipëri është një shans i mirë për të grumbulluar sa më shumë pikë dhe për të synuar kualifikimin.

Trajneri Erjon Bogdani në konferencë shtypi

“Kemi hyrë në fazën e ndeshjeve zyrtare dhe do të tentojmë kualifikimin në grup. Luajmë në vendin tonë dhe mundësitë janë që skuadra të arrijë këtë objektiv. Gjatë këtyre ditëve do të punojmë shumë fort dhe mjaft të përqendruar. Njohim forcën e rivalëve, por kam besim te skuadra. Për ndeshjet zyrtare kemi punuar gjatë gjithë vitit dhe kam bindjen se do të bëjmë mirë në ndeshjet e këtij turneu”, - tha trajneri Bogdani për faqen zyrtare të FSHF-së. Ai ka grumbulluar këtë herë 14 lojtarë nga kampionatet e huaja dhe 9 nga kampionati shqiptar. Lojtarët nga kampionati shqiptar aktivizohen me ekipe si Tirana, Partizani, Skënderbeu dhe Erzeni.

Ndeshja e parë në program është ajo me Ukrainën, që zhvillohet më 10 tetor, më pas është radha e Sllovakisë më 13 tetor dhe më 16 tetor ndaj Norvegjisë. Nga ana e FSHF-së është menduar që hyrja për tifozët në stadium të jetë pa biletë, pasi skuadra ka nevojë për sa më shumë mbështetje. Deri tani skuadrat kombëtare të moshave nuk kanë arritur rezultate të mira dhe pritet që kthesa të nisë me Kombëtaren U-19 të trajnerit Bogdani.

Lista e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Bogdani

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë