Kombetarja

Europiani 2021, Shqipëria në të njëjtin grup me Kosovën

Shorti i hedhur sot në Nion nuk ishte me fat për Shqipërinë U-21, që ka rënë në një grup me skuadra shumë të forta, mes tyre edhe Kosova. Kuqezinjtë kanë rënë në Grupin 3 dhe do ta kenë tejet të vështirë në eliminatoret e Europianit 2021, pasi duhet të përballen me kundërshtarë si Anglia, Austria e Turqia. Kualifikimi duket një mision i pamundur, duke ditur që vetëm vendi i parë shkon direkt në fazën finale të kompeticionit, ndërsa vendi i dytë duhet të luajë në “Play-off”.    

Skuadra e drejtuar nga trajneri Alban Bushi, i vetmi i mbijetuar nga “furtuna” e FSHF-së në kombëtaret e moshave, ishte vendosur në vazon e 5-të, sepse në edicionin e fundit ishte paraqitur dobët dhe kishte marrë pak pikë. Goglat u kanë rezervuar kuqezinjve Anglinë nga vazoja e parë, Austrinë nga vazoja e dytë dhe Turqinë nga vazoja e tretë. Tri skuadra shumë të forta në grup, që do të rivalizojnë për kreun. Përveç Anglisë, edhe Austria e Turqia kanë një brez shumë të mirë të rinjsh.

Grupi i Shqipërisë U-21

Kundërshtari special i Shqipërisë U-21 në këto eliminatore është Kosova, që falë rezultateve të mira në ndeshjet e fundit, ishte vendosur në vazon e katërt. Është hera e parë që Shqipëria dhe Kosova shortohen në të njëjtin grup dhe sigurisht që ndeshjet mes tyre do të jenë pak më të veçanta, jo thjesht sepse përplasen dy kombëtare shqiptarësh, por edhe për “luftën e heshtur” që ka nisur tashmë për talentet e së ardhmes. Nuk do të jenë ndeshje kortezhe, por sfida të vërteta, ku secila skuadër do të bëjë gjithçka për të treguar vlerat më të mira.

Kundërshtari i fundit në grup është Andorrë, një skuadër e dobët, ndaj së cilës të gjithë të tjetër do ta kenë të lehtë për të marrë tri pikët. Pas shortit është fiksuar edhe kalendari i ndeshjeve, ku Shqipëria U-21, ashtu si Kombëtarja A, e nis në shtëpi ndaj Turqisë, më 23 mars 2019. Ndeshja e fundit luhet më 13 tetor 2020, ndaj Anglisë, në fushën e kësaj të fundit.


Kalendari i plotë
23 mars 2019 Shqipëri-Turqi
26 mars 2019 Andorra-Shqipëri
7 qershor 2019 Turqi-Shqipëri
9 shtator 2019 Shqipëri-Austri
15 tetor 2019 Shqipëri-Kosovë
15 nëntor 2019 Shqipëri-Angli
27 mars 2020 Kosovë-Shqipëri
4 shtator 2020 Austri-Shqipëri
8 shtator 2020 Shqipëri-Andorra
13 tetor 2020 Angli-Shqipëri



Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë